Në ligjëratën e tij të dytë me radhë për studentët dhe stafin e Kolegjit ISPE më 27 janar 2015, ish-komandanti i KFOR-it Dr Klaus Reinhardt ka prezantuar situatën që aktualisht mbizotëron në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë, pas ndërhyrjes së Moskës në punët e brendshme të Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit të Krimesë (Putin and the West after the Annexation of the Crimea).
Dr Reinhardt, i cili në Kosovë njihet si komandant i dytë me radhë i KFOR-it (nga tetori 1999 deri në prill 2000), ka thënë se aneksimi i Krimesë ka krijuar hendek në mes Perëndimit dhe strukturave euro-atlantike, në njërën, dhe Rusisë që udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin, në anën tjetër.
Intervenimi i Rusisë në punët e brendshme të Ukrainës dhe ndarja e Krimesë nga ky vend, sipas gjeneralit Reinhardt, është ndërmarr me qellim të parandalimit të Ukrainës që t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian, sepse në Moskë sot ekziston një ksenobofi ndaj Perëndimit dhe perceptimi që shtrirja e trupave të NATO-së në Lindje përbën kërcënim direkt ushtarak për sigurinë së Rusisë.
Ai ka konstatuar se me ndërhyrjen e Rusisë në punë të brendshme të Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë, Moska i ka shkelur dokumentet më të rëndësishme evropiane për sigurinë kolektive, siç janë Akti Final i Helsinkit (1975), Karta e Parisit (1990) dhe Memorandumi i Budapestit (1994). Këto dokumente i garantojnë secilit vend evropian sovranitetin, integritetin e kufijve dhe të drejtën që të zgjedh aleatin e vet.
Doktrina e sotme e jashtme e Rusisë synon barazimin e këtij vendi me SHBA-në si super-fuqi globale, por kjo nuk është reale sepse ajo ballafaqohet me shumë probleme të brendshme ekonomike, duke e bazuar fuqinë e vet vetëm në eksportin e gazit dhe naftës, por jo edhe në ekonominë e zhvilluar dhe produktive. Të dhënat për buxhetin ushtarak tregojnë se sa është racional dhe real projekti i Rusisë për tu bërë superfuqi ushtarake: buxheti vjetor ushtarak i SHBA-ve është 628, ndërsa ai i Rusisë 70 miliardë dollarë. Për krahasim, buxheti ushtarak i Kinës është 145, ndërsa ai i BE-së 190 miliardë dollarë.
Politika e Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar se Putini dhe establishmenti i Rusisë duan që ta zhvendosnin vëmendjen e opinionit rus nga problemet e brendshme, sidomos ato ekonomike. Qëllimi i tyre nuk është të provokohet lufta e re e ftohtë me NATO-në, apo ringritja e perandorisë, sikur ajo e ish-bllokut komunist. Nga kjo arsye, sipas gjeneralit Reinhardt, kriza në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë nuk do të mund të jetë vendimtare për NATO-në, por do të duhej vetëm të rezultonte me një politikë shumë më të kujdesshme ndaj Moskës, sidomos në garantimin e sovranitetit dhe integritetit të shteteve baltike.
Përkundër ftohjes së marrëdhënieve me Rusinë, NATO dhe Perëndimi duhet të tentojnë të ruajnë aleancën me Rusinë dhe të vazhdojnë dialogun me të, sidomos kur bëhet fjalë për çështje nga interesi reciprok. “Nuk ka arsye t’i shpallët luftë Rusisë, por duhet të komunikohet me të, sepse pa të nuk ka bisedime për sigurinë në Evropë, ka thënë gjenerali gjerman.
Në fund, ai ka thënë se kriza rreth Ukrainës ka treguar se nuk ka siguri të vërtet në Evropë pa NATO-në dhe se krijimi i sistemit të veçantë për sigurinë në Evropë nuk do të mund të zëvendësoj Aleancën Veri-Atlantike.