Programi Studime të Integruara Evropiane (SIE)

Profili dhe struktura e programit

Programi Bachelor për Studime të Integruara Evropiane është program ndërdisiplinar i cili përbëhet nga katër profile të integruara në një drejtim. Profilet brenda këtij programi i përkasin profilit politik, ekonomik, juridik dhe të njohurive të kulturës së përgjithshme, të cilat mësohen bashkërisht gjatë tri viteve të studimit. Programi është i hartuar në atë mënyrë që në secilin semestër studentët do të kenë një lëndë nga secili nga profilet e lartpërmendura duke bërë këtë program të larmishëm dhe në të njëjtën kohë mjaft atraktiv.

Studimet Evropiane në Kosovë janë janë fushë mjaft e re e studimit, Kolegji ISPE është institucioni i parë dhe i vetëm i cili prej pothuajse një dekade e zhvillon mjaft sukseshëm këtë program dhe në bashkëpunim me universitetet partnere gjermane ka krijuar një plan program/kurrikulë studimi mjaft të sofistikuar, bashkëkohore dhe të mirëstrukturuar për studentët ku në qendër të saj janë angazhimi dhe mësimi praktik i studentëve si dhe programet e përbashkëta të shkëmbimit të studentëvë dhe profesorëve me universitetet partnere gjermane.

Modulet e këtij programi nga të gjitha profilet janë të organizuara dhe të ndara nëpër semestra në atë mënyrë që përcjellin një kontinuitet të ngjarjeve, politikave dhe zhvillimeve në Bashkimin Evropian duke filluar nga historia dhe institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, tregu i brendshëm i Bashkimit Evropian, liritë themelore, e drejta e komunikimit në BE deri tek  thellimi dhe zgjerimi i kësaj fushe të studimit me të drejtën e konkurrencës së Bashkimit Evropian, në analizat ekonomike dhe fondet strukturore.

Qëllimi dhe perspektiva e programit

Bashkimi Evropian dhe politikat e tij kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në përgatitjen profesionale të studentëve aktual si dhe atyre në të ardhmen në mbarë Evropën. Evropa është duke u bërë gjithmonë më e afërt dhe e bashkuar çka parashtron nevojën për njerëz të kualifikuar dhe të aftë për ti kontribuar këtij procesi.

Kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë vetëm me institucionet e Bashkimit Evropian mirëpo gjithashtu duhet të fokusohemi në analizat dhe proceset sociale, ekonomike dhe kulturore të BE-së andaj edhe qëllimi i këtij programi përputhet saktë me këto politika dhe zhvillime.

Studentët e këtij programi do të zhvillojnë mendim dhe aftësi kritike dhe analitike për ngjarjet dhe proceset brenda këtij konteksti dhe për më tepër do të kontribuojnë në vetë ndërtimin e këtyre proceseve për të mirën e Kosovës.

Programi për Studime të Integruara Evropiane është program akademik që i plotëson në masë të madhe kërkesat e tregut të punës në Kosovë duke pasur parasysh mungesën e kuadrove të specializuara në këtë fushë.

Studentët të cilët përfundojnë studimet Bachelor kanë mundësi të vazhdojnë studimet e tyre në nivelin Master pranë Kolegjit ISPE për të njëjtën fushë, pra Studime Evropiane, në mënyrë që edhe më tutje të avancojnë njohuritë e tyre. Të diplomuarit do të kenë mundësi punësimit në të gjitha institucionet si publike ashtu edhe private jo vetëm në Republikën e Kosovës mirëpo edhe në rajon apo më gjerë. Duke pasur parasysh se ky program është ndërdisiplinar, i përbërë nga katër fusha të ndryshme njohurish, studentët do të jenë do të jenë mjaft kompetent që t’i qasen nga pikëpamja e këtyre fushave të studimit vendit të punës.

Thirrja akademike

Me përfundimin e studimeve, studentët marrin titullin Bachelor në Studime të Integruara Evropiane dhe pajisen me diplomë.

Kohëzgjatja e studimeve

Programi për Studime të Integruara Evropiane zgjat 3 vite/ 6 semestra.

Në përgjithësi është përshkrimi i dhënë më poshtë:

Vite studimi: 3 vite

Semestra: 6 semestra

Kreditë: 1 semestër = 30 ECTS

Gjithsej: 180 ECTS