Biblioteka Evropiane

Në vitin 2011 Kolegji ISPE ka bërë pjesë të bibliotekës së vet edhe Bibliotekës Evropiane të Kosovës dhe me këtë rast kjo e fundit është zhvendosur në ndërtesën e Kolegjit ISPE. Biblioteka Evropiane e Kosovës është themeluar në vitin 2007 si një projekt i Iniciativës Evropiane të Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë dhe Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Pjesa më e madhe e fondit të librave në këtë bibliotekë është në gjuhët e huaja, kryesisht në anglisht dhe gjermanisht. Ky fond i librave konsiston në libra të cilët si temë kryesore kanë Evropën, zhvillimet politike në Evropë, mirëpo gjithashtu me gjeografinë dhe historinë e Evropës. Biblioteka Evropiane ka një fond prej rreth 3000 librave të printuar.

 

Biblioteka Evropiane është në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, dhe mban përmbledhje të publikimeve të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian në gjuhën Angleze. Biblioteka Evropiane gjithashtu ka bashkëpunim me Goethe – Institut në Beograd, i cili është një Institut i Qeverisë së Gjermanisë për të mbështetur literaturën Gjermane dhe gjuhën gjermane në të gjithë botën. Ky bashkëpunim është realizuar përmes një donacioni prej 115 librave të cilat janë në gjuhën gjermane, të cilat kanë të bëjnë me gjuhën, historinë, politikën dhe gjeografinë e Gjermanisë.

 

Përveç kësaj, Biblioteka Evropiane ka filluar bashkëpunim me Qendrën Juridike Kosovare në mënyrë që të furnizohet me publikime të kësaj qendre, mirëpo gjithashtu me libra dhe me revista nga biblioteka e kësaj qendre e cila përfshin publikime në fushën e drejtësisë dhe përmbledhje të publikimeve nga gjykatat evropiane lidhur me rastet të cilat shqyrtohen nga këto gjykata. Qëllimi i Bibliotekës Evropiane është që të zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin me institucione të tjera arsimore për të përfshirë një numër më të madh të lexuesve potencial. Në këtë përfshihet gjithashtu bashkëpunimi me biblioteka të tjera në mënyrë që të shkëmbehen përvojat e  ndërsjella, si dhe shkëmbimi i ideve por edhe pasurimi i fondit të librave sipas kërkesave për literaturën e nevojshme për lëndët të cilat ofrohen nga Kolegji ISPE.