ISPE ofron edukim të cilësisë së lartë, Kosova në rrugë të drejtë

Foto AvniBengivolker

Kryetari i Këshillit të Kolegjit ISPE, gjenerali Volker Halbauer dhe anëtarët e këtij këshilli, profesorët Bengt Beutler dhe Avni Mazrreku kanë zhvilluar një takim me studentët, ku janë diskutuar zhvillime te fundit në rajon dhe në Evropë nga prizmi i sigurisë.

Në fjalën hyrëse, Kryetari i Këshillit kolegjit ISPE, gjenerali Halbauer pohoi se sa herë vjen në Kosovë dhe në këtë kolegj bindet se arsimimi që ofrohet këtu është i një niveli të lartë dhe të gjithë duhet ta dinë që në ISPE ia vlen të studiohet edhe pse përfundimi i studimeve këtu është më pak i lehtë se në kolegjet tjera në Kosovë.

Profesori Beutler në fjalën e tij hyrëse pohoi se për Evropën është krijuar përshtypja se politikisht është plakur, mirëpo, Evropa vetëm sa është pjekur dhe maturuar, kurse e ardhmja evropiane i takon pikërisht rinisë dhe studentëve, si këta të kolegjit ISPE.

Nga ana tij profesori Avni Mazrreku përsëriti qëndrimin se nëse përpjekjet ushtarake të NATO-s, bashkë me ato të kosovarëve e kanë sjellë çlirimin dhe fondet e BE-së e kanë mundësuar rindërtimin e Kosovës, tash është koha që në Kosovë të instalohen vlerat e vërteta evropiane të arsimit dhe dijes dhe kolegji ISPE po bën përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim.

Duke diskutuar situatën e sigurisë në nivel evropian dhe global gjenerali Halbauer pohoi se janë gjashtë rreziqe potenciale që mund ta ndikojnë situatën duke filluar nga Rusia dhe veprimet ushtarake të kohëve të fundit, Lindja e Mesme dhe situata atje që është më e keqja në dekadat fundit, terrorizmi islamik, situata në Azi dhe Pacifik me theks të veçantë në rrezikun nuklear nga Korea e Veriut, përçarjet e brendshme në BE dhe paparashikueshmëria e administratës amerikane në krye më Presidentin Trump.

Duke folur për situatën e sigurisë në nivel lokal, gjenerali Halbauer pohoi se Kosova ka nevojë për ushtri, por jo tani. Pse e them këtë? Jetojmë në një situatë që po evoluon dhe ka zhvillime të shumta dhe sfida të shumta. Ne duhet që seriozisht të angazhohemi për ta mirëmbajtur situatën aktuale. Ne nuk duhet ti hedhim vaj zjarrit. Sa kam qenë komandant i KFOR-it kam mësuar shumë, por më e rëndësishmja është që duhet të kemi qetësinë dh të veprojmë në kohën e duhur.  Problemet në Ballkan unë i shoh si probleme të brendshme dhe nëse ne si NATO jemi të gatshëm ti zgjidhim problemet ku ne jemi të përfshirë, atëherë do të mund të zgjidhim edhe problemet e brendshme”, pohoi ndër të tjera gjenerali Halbauer.

I pyetur rreth KFOR-it dhe angazhimit të kësaj force në Kosovë gjenerali pohoi se KFOR-i është një tregim suksesi në Kosovë dhe është në fakt tregimi më i suksesshëm i NATO-s kohëve të fundit meqë ambienti që sigurohet nga KFOR-i është një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë, gjë që nuk mund të thuhet edhe për vendet tjera ku NATO është i përfshirë.

  

Comments are closed.