Eksperti Jevis ligjëron në ISPE për rritjen e ekstremizmit në mesin e të rinjve evropian

jervis

Eksperti i njohur britanik, Mike Jervis, nga Fondacioni për Ndryshime Aktive (Active Change Foundation – http://www.activechangefoundation.org) i Britanisë së Madhe ka vizituar Kolegjin ISPE të enjten, më 22 tetor Ai, me këtë rast, ka mbajtur një ligjëratë kushtuar projektit për ndërtimin e së ardhmes pa dhunë, të cilën në Kosovë e zbaton organizata E ardhmja e Lirë nga Dhuna (Violence Free Future – vffkosovo.org).

Duke folur rritjen e ekstremizmit në baza fetare në Evropë, që reflektohet përmes shkuarjes dhe pjesëmarrjes së rinjve të besimit Islam në luftërat e Sirisë dhe Irakut, Jervis ka thënë se i gjithë ky fenomen ndodhë sepse shoqëritë e prekura nuk i adresojnë mirëfilli problemet e gjeneratës së re siç janë shkollimi i dobët, papunësia dhe varfëria. Kjo, sipas tij, është situatë të cilën e shfrytëzojnë strukturat ekstreme duke bërë regrutimin e të rinjve të zhgënjyer dhe duke i bindur se zgjidhja është në pjesëmarrje në luftërat që nuk janë të tyre.

“Fenomenologjia e regrutimit qëndron në eksploatimin e brishtësisë së kandidatëve për shkak të pakënaqësisë së tyre dhe mungesës së motivimit që zgjidhjen ta kërkojnë në shoqëri pjesë e së cilës janë. Te ata provokohet urrejtja ndaj të tjerëve për të provokuar kolapsin e kapaciteteve të tyre personale për vetëgjykim,” ka thënë Jervis.

AI a shtuar se në përhapjen dhe shtrirjen e këtij fenomeni kanë “ndihmuar” edhe strukturat më të rëndësishme shoqërore, sikur shteti dhe shërbimet e tij të specializuara, shkolla dhe familja. Nga kjo arsye, luftimi i suksesshëm i kësaj dukurie do të bëhet kur këto struktura të fillojnë të trajtojnë me seriozitet këtë problem. “Shoqëria dhe shteti duhet të ndërtojnë kapacitete për të luftuar këtë fenomen,” ka konstatuar Jervis.

Ai, duke komentuar paraqitjen e këtij fenomeni në Kosovë, ka thënë se nuk ka arsye që një fenomen i tillë të paraqitet në shtetin më të ri evropian, sepse kjo shoqëri tani më ka luftuar një herë për liri dhe nuk ka nevojë që pjesëtarë të saj të participojnë në luftërat tjera që u takojnë shteteve të tjera. “Kosova e ka shtetin e vet dhe nuk ka nevojë që të luftohet në shtetin tjetër. Prandaj, nuk duhet të lejoni që dikush të shfrytëzoj brishtësinë e shoqërisë dhe gjeneratës se re, si dhe pikat e tyre më të dobëta, për të siguruar regrutë për luftën që nuk është e Kosovës,” ka thënë ai.

Pas ligjëratës, Jervis ka zhvilluar një bashkëbisedim të frytshëm me studentët e Kolegjit ISPE duke u përgjigjur në pyetje e tyre, që kryesisht kishin të bënin me mënyrat në të cilat Kosova do të duhej të luftonte me sukses indoktrimin e të rinjve që të marrin pjesë në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

   

Z. Jervis është eksperti i njohur britanik që së fundmi është angazhuar shumë në Britani të Madhe në projektet kushtuar avancimit të statusit të grave të reja, asistencën për të rinjtë që janë përfshirë në abuzimin e narkotikëve, si dhe në luftimin e ekstremizmit dhe ideologjive të dhunshme.

Ai është duke qëndruar aktualisht në Kosovë lidhur me zbatimin e projektit që synon vendosjen e dialogut me të rinjtë të besimit mysliman që u ekspozohen ideologjive radikale, inkuadrimit të tyre në shoqëri dhe luftimin e ideologjive të dhunshme.

Ligjërata e Z. Jervis për studentët dhe stafin akademik të Kolegjit fillon në ora 11.00 në selinë e Kolegjit ISPE (Rr. Agim Ramadani 9, Prishtinë), është e hapur për publikun dhe mediat janë të ftuara që të raportojnë për këtë ngjarje.

Comments are closed.