NË EVROPË MUND TË MIGROHET NË MËNYRË LEGALE DHE ME SUKSES

foto web

Migrimi ilegal është një prej dukurive që më së shumti dëmton qytetarët e Kosovës dhe mund të ketë pasoja afatgjata për ta, ndërkohë për të rinjtë e Kosovës, e posaçërisht për studentët dhe profesionistët, mundësitë janë të hapura për migrim të rregullt dhe për kërkim të vendeve të punës.

Ky është mesazhi kryesor që u përçua në takimin me studentë të kolegjit ISPE të ekspertëve të BE-së për çështjen e migrimit ilegal.

Në kë takim, të zhvilluar në lokalet e kolegjit ISPE, para studentëve në panel u paraqitën Robert Bosch, ish Ambasador i Holandës në Kosovë, Valdet Hoxha zv. Ministër i Punëve të Brendshme, Peter Schreiner, eksperti austriak për çështje të migrimit dhe Timo Langemeijer, koordinatori i projektit “Fuqizimi i Institucioneve të Kosovës për Administrim Efikas të Migrimit”, që financohet nga BE dhe në kuadër të së cilit u mbajt ky takim.

Delegacioni i BE-së u prit nga anëtari i Këshillit të Kolegjit ISPE Avni Mazrreku me bashkëpunëtorë.

Zv. Ministri Hoxha në takim me studentët pohoi se në fluksin e viteve 2014-15 nga Kosova kanë ikur rreth 70,000 njerëz por asnjë nga ta nuk ka marrë azil në vendet e BE-së dhe se asnjë vend i BE-së nuk jep më azil për kosovarët meqë Kosova është tani në listën e vendeve të sigurta dhe njerëzit që ikin nga Kosova nuk janë në rrezik për jetën e tyre. Hoxha po ashtu pohoi se 35,000 njerëz tashmë janë riatdhesuar dhe mesatarisht 1,000 njerëz në muaj riatdhesohen.

Ish Ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch pohoi se arsyet e kosovarëve për migrim, edhe pse mund të jenë legjitime, nuk janë të pranueshme nga vendet e BE-së sepse Kosova dhe vendet e rajonit vazhdojnë të jenë të sigurta edhe pse ka trazira në Maqedoni dhe Shqipëri, por nuk ka rrezik për luftë ose skenarë të ngjashëm dhe situata e kosovarëve nuk është e njëjtë me atë të sirianëve ose afganëve.

Ambasadori Bosch po ashtu pohoi se mos dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën është nja nga faktorët që në një mënyrë ka ndikuar në rritjen e trendit të migrimit ilegal të kosovarëve.

Nga ana e tyre pjesëmarrësit në panel Peter Schreiner dhe Timo Langemeijer prezantuan mundësitë e shumta që iu ofrohen studentëve të Kosovës për të studiuar në vendet evropiane, sidomos në Austri, por edhe mundësitë e punësimit për shumë profesione që janë në kërkim nga kompanitë e vendeve të BE-së.

Në fund u shpërndanë edhe fletushka dhe botime të ndryshme me informata për mundësitë ndryshme për aplikime për bursa dhe për punësim në vendet e BE-së duke fuqizuar mesazhin se migrimi në Evropë mund të behët në mënyrë të rregullt dhe mund të sigurojë perspektivë për studentët dhe profesionistët.

Panelistët në këtë bisedë informuese iu përgjigjën edhe pyetjeve të studentëve të kolegjit ISPE.

Comments are closed.