ISPE NDAN TITULLIN DOCTOR HONORIS CAUSA PËR ALFRED MOISIUN

alfredmoisuNë një ceremoni solemne të mbajtur të mërkurën më 30 Mars, Kolegji ISPE ia ka ndarë ish-Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, titullin Doctor Honoris Causa për shkak të kontributit të tij madhor në reformimin demokratik të Shqipërisë dhe avancimin e çështjes së Kosovës në skenë ndërkombëtare.

“Ky është titulli i parë i tillë që Kolegji ISPE e ndan dhe ai i shkon personalitetit që ka merita të mëdha si për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ashtu edhe për tranzicionin demokratik të Shqipërisë. Periudha në të cilin Z. Moisiu ishte President i Shqipërisë ka ndikuar që ky tranzicion të jetë më i shpejtë dhe më i suksesshëm. Ai ka krijuar një model i burrështetasit të cilit duhet t’i referohemi,” ka thënë rektori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, duke e arsyetuar vendimin e Këshillit të Kolegjit ISPE për ta nderuar ish-Presidentin e Shqipërisë me titullin Doctor Honoris Causa.

“Përkundër shumë dekoratave që i kam marr deri më tani, jam shumë i emocionuar sepse kjo e fundit më vjen nga vëllezërit,” u shpreh Moisiu duke iu drejtuar auditoriumit me studentë, profesorë dhe shumë mysafirë të nivelit të lartë, në mesin e të cilëve ishin edhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ministri i arsimit, shkencës dhe teknologjisë, Arsim Bajrami dhe gjeneral brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandanti i forcave tokësore të FSK-së.

“Jetojmë në një situatë me kriza në rajon dhe botë dhe duhet të kemi njerëz të përgatitur dhe të stërvitur për t’i kryer detyrat që i ngarkojnë shteti dhe kombi, sidomos ato që kanë të bëjnë me sfidat e sigurisë,” ka thënë Moisiu duke e vlerësuar si nevojshëm programin e studimeve të sigurisë që ekziston në ISPE.

“Njerëz duhet të armatosen me njohuri bashkëkohore për siguri për tu përballur me situata sikur ato që i sjell terrorizmi. Kolegji juaj dhe institucione tjera janë duke e bërë të pamundurën për t’i përgatitur gjeneratat e ardhshme për këto sfida dhe për ta përshtatur vendin rrymës integruese Evropiane,” ka thënë ish-Presidenti i Shqipërisë, duke i falënderuar të pranishmit për nderin dhe duke e cekur si sidomos të rëndësishme praninë në mesin e mysafirëve të lartë edhe të përfaqësuesve të Forcave të Sigurisë të Kosovës.

Në fjalën e tij të rastit, ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka cilësuar ceremoninë si “ditë të veçantë për Kolegjin ISPE, ku ai e nderon ish-Presidentin Moisiu për kontributet e tij për shtetin shqiptar dhe shtetin e Kosovës”.

“President Moisiu është njeri i kalibrit të madh me kombinim të jashtëzakonshëm të përvojave të tij ushtarake dhe politike, dhe nga ai pritet edhe shumë në të ardhmen,” ka thënë Sejdiu.

Ndërsa, duke e vlerësuar ceremoninë e ndarjes së titullit Doctor Honoris Causa për ish-Presidentin e Shqipërisë Moisiu, ministri i arsimit, shkencës dhe teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë se Moisiu arriti që t’i mbaj lartë dhe t’i mbroj interesat kombëtare gjatë periudhës sfiduese të tranzicionit të Shqipërisë, duke trasuar rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO. “Ai e ka dhënë shembullin e mirë për rolin që duhet ta luaj një peronalitet,” ka thënë Bajrami.

Ekselenca Tij, Z. Alfred Moisiu, do të vazhdoj vizitën e tij në Kolegjin ISPE edhe ditën e enjte, më 31 Mars, për kur është paralajmëruar një ligjëratë e veçantë për studentët dhe stafin akademik të Kolegjit.

Comments are closed.