Z.SHPEND AHMETI MBAJTI LIGJËRAT PARA STUDENTËVE TË KOLEGJIT ISPE

Shpend Ahmeti Kolegji ISPE

Sot në Kolegjin ISPE patëm të ftuar kandidatin për kryetar të Komunës së Prishtinës, z.Shpend Ahmeti, në debat me studentët tanë.

Në këtë debat z.Ahmeti u koncentrua më shumë në vazhdimin e punëve dhe projekteve konkrete që ai ka, për mandatin e dytë me radhë.

Shpend Ahmeti po ashtu tregoi për sfidat e këtij mandati 4 vjeçar, duke treguar për luftën ndaj klientelizmit, korrupsionit, reformat e mëdha që ka bërë në funksionimin sa më të mire të komunës dhe gjithashtu foli për projektet dhe ndryshimet e mëdha që janë realizuar në periudhën 2013-2017.

Ahmeti gjithashtu foli edhe për qëllimet dhe prioritetet e tij për mandatin e radhës ku ndër dhjetëra projekte që i përmendi para studentëve të Kolegjit ISPE, theks të veçantë z.Ahmeti i dha top 4-shës siç e quajti ai e kjo ‘katërshe’ ishte:

1.Viti 2018 të jetë vit i pastrimit – të mos kemi një kryeqytet me mbeturina dhe të operohet me to me kujdes të shtuar;

2.Parkingjet – një plan i ri strategjik, të cilin z.Ahmeti e shpjegoj detaisht para studentëve tanë, ku premtoj një zgjidhje e cila do t’i jepte fund kaosit të madh që përjeton Prishtina tash e sa kohë;

3.Hapsirat e gjelbra dhe rregullimi i parqeve – z.Ahmeti potencoi që Prishtinës i duhen më shumë zona të cilat qytetarët do të mund t’i përdorin për pushim, rekreacion dhe që do t’i jepnin vendit edhe më shumë atraktivitet;

4.Barazia sociale – në këtë pikë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje u ndal pak më gjatë duke shpjeguar se sa dhe çka është bërë për familjet që kanë pasur nevojë për strehim dhe se sa dhe çka do të bëhet për 4 vitet e ardhshme të mandatit të tij. Ai gjithashtu përmendi se ka një plan për të ju siguruar familjeve në nevojë të paktën një shujtë të nxehtë në ditë nga komuna me një plan operativ i cili do të përfshinte tërë kryeqytetin.

 Një interesim i madh ishte edhe nga studentët e Kolegjit ISPE për t’i parashtruar pyetje z.Shpend Ahmeti.

Çështje që u diskutua ishte edhe stadiumi nacional për të cilin kryetari aktual tha se duhet të mbetet në lokacionin të cilin ishte caktuar më parë, përkatësisht Bërnica.

Kandidati u pyet edhe rreth koalicionit me AKR-në i cili u zyrtarizua dje nga të dyja palët. Ai tha se kjo marrëveshje nuk është ‘ndarje e kulaçit’, por marrëveshje 12 faqëshe programore.

Kolegji ISPE do të vazhdojë që të organizojë debatet e këtilla me kandidatët e balotazhit me qëllimin që studentët tanë të kenë rastin nga afër të dëgjojnë dhe t’i pyesin kandidatët e komunave të tyre përkatëse.

Comments are closed.