Sot në Kolegjin ISPE ishte i ftuar kandidati për kryetar të Komunës së Therandës, z.Bali Muharremaj , në debat me studentët tanë.
Në këtë debat z.Muharremaj u koncentrua më shumë në projektet konkrete që ai ka, në rast se fiton garën e balotazhit që zhvillohet me 19 Nëntor.
Ai potencoi që Therandës i ka munguar vizioni që nga viti 2013 e deri më sot.
Kandidati i AAK-së foli për problemet kryesore që ka komuna aktualisht dhe gjithashtu shfaqi para studentëve tanë prioritetet e tij në garën për të parin e Therandës.
Kandidati në fjalë para studentëve tha që në mandatin e tij do të hapen minimum 1400 vende pune të shpërndara në sektorë të ndryshëm si bizneset, shëndetësia, bujqësia, arsimi dhe administrata.
U diskutua edhe për zonën ekonomike e cila sipas tij ka rëndësi të jashtëzakonshme për komunën që pretendon t’a udhëheqë.
Z.Muharremaj theks të veçantë i dha arsimit, të cilin u zotua se do t’a depolitizoj në çdo pjesë të komunës dhe gjithashtu tregoj planin e tij për shkollat profesionale të cilat do të mundohet përmes donacioneve të ndryshme të arrij t’i modernizoj dhe nxënësve të këtyre shkollave të ju mundësohet që pas investimeve të ndryshme sidomos pas përfundimit të ‘ zonës ekonomike ‘ të funksionojnë me sistemin 3 ditë shkollë – 2 ditë punë.
Poashtu te arsimi nuk la pa cekur që secila shkollë fillore dhe e mesme do të ketë laboratorët dhe kabinetet e tyre përkatëse.
Pikë tjetër me rëndësi e z.Muharremaj ishte edhe shëndetësia dhe ekipet mobile të mjekëve nëpër fshatra të cilët do të ofrojnë shërbime pa pagesë nëpër shtëpitë e banorëve të të gjitha zonave.
Sipas z.Muharremaj, Theranda ka nevojë për zona gjelbëruese të cilat mungojnë dhe nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, ku ai u zotua për ndërtimin e zonave të ndryshme atraktive për qytetarët e kësaj komune, të cilat do të shërbenin për rekreacion dhe atraktivitet në Therandë.
Studentët e Kolegjit ISPE si në secilin debat tjetër edhe sot ishin mjaft të interesuar për çështje të ndryshme.
Ata e pyetën z.Muharremaj për transportin falas për nxënësit e fshatrave të cilët me raste shkollën e kanë larg deri në 5 kilometra, kandidati u zotua që transporti do të sigurohet dhe në asnjë mënyrë nxënësit nuk do të lejohen të bëjnë rrugë aq të gjata për të ndjekur mësimet.
Ai u pyet gjithashtu edhe për kuadrot e reja profesionale për të cilët kjo komunë ka shumë nevojë sidomos për njohësit e Integrimeve Evropiane dhe Bashkimit Evropian të cilët do të kishin mundësi t’i sigurojnë Therandës shumë fonde nga projektet e BE-së.
Kolegji ISPE do të vazhdoj që të organizojë debatet e këtilla me kandidatët e balotazhit me qëllimin që studentët tanë të kenë rastin nga afër të dëgjojnë dhe t’i pyesin kandidatët e komunave të tyre përkatëse.