Sot në Kolegjin ISPE patëm të ftuar kandidatin për kryetar të Komunës së Gjakovës, z.Ardian Gjini, në debat me studentët tanë.
Në këtë debatit z.Gjini u koncentrua më shumë në projektet konkrete që ai ka, në rast se fiton garën e balotazhit që zhvillohet me 19 Nëntor.
Ai potencoi që Gjakovës i ka munguar vizioni që nga viti 2013 e deri më sot.
Kandidati i AAK-së foli për definimin e problemeve që Gjakova po përballet me to duke filluar nga ato më bazike si ujësjellësi, kanalizimi, trotuaret e uzurpuara nga veturat dhe vazhdoj tutje me problemet që ka komuna në arsim e shëndetësi.
Pikë tjetër me rëndësi që u diskutua ishte edhe aeroporti i Gjakovës ku z.Gjini tha prerazi që aeroporti nuk do të filloj punën edhe rreth diku 16 vite, pengesë e cila ndodhë shkaku i nënshkrimit që ka bërë qeveria e Kosovës para 4 vitesh e cila i ka garantuar kompanisë që ka marrë me konsesion aeroportin që nuk do të ketë asnjë aeroport tjetër brenda territorit të Kosovës që do të thotë komplet fitimet të shkojnë vetëm në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.
Z.Gjini u ballafaqua si çdo kandidat tjetër edhe me pyetjet e shumta të studentëve të Kolegjit ISPE, të cilët ishin të interesuar rreth çështjeve si arsimi, lehtësirat e mundshme për studentët, ku z.Gjini tha se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje rreth çmimit të biletave të autobusit të cilat janë një barrë e rëndë për secilin student që vjen nga kjo komunë.
Kandidati në fjalë gjithashtu premtoj që do të angazhohet në maksimum që Gjakovës t’ia rikthej dinjitetin e dikurshëm përmes qendrës rekreative – Maja e Kunorës, përmes hapjes së bizneseve të reja të cilat do të sjellin vizitorë në Gjakovë dhe gjithashtu nuk mbeti pa e përmendur Parkun e Qytetit të Gjakovës ku ai synon që brenda atij parku të funksionalizohet një librari, kafiteri të ndryshme të cilat nuk do të servojnë pije alkoolike shkaku i afërsisë së tyre me shkollat e mesme dhe gjithashtu një dyqan lulesh i cili do të përkujdesej edhe për parkun gjithashtu.
Përmes këtyre ndryshimeve z.Gjini synon që përveç atraksionit të gjenerohen vende të reja të punës dhe të hyra komunale përmes partneritetit publiko-privat.
Ai nuk mbeti pa u pyetur edhe për koalicionet e mundshme për balotazhin e 19 Nëntorit ku ai nuk e mohoj faktin që ka pasur takime të shpeshta gati me të gjithë përfaqësuesit politik në Gjakovë.
Kolegji ISPE do të vazhdoj që të organizojë debatet e këtilla me kandidatët e balotazhit me qëllimin që studentët tanë të kenë rastin nga afër të dëgjojnë dhe t’i pyesin kandidatët e komunave të tyre përkatëse.