Gazetari dhe opinionisti i njohur kosovar, Enver Robelli, i cili jeton dhe punon në Zvicër, e ka vizituar të premten, më nëntë janar, Kolegjin ISPE dhe ka bashkëbiseduar me studentët për imazhin që sot Kosova e gëzon në skenë evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe sfidat që duhet adresuar për ta përmirësuar atë në të ardhmen.
Për dallim nga koha e bombardimeve të NATO-së mbi objektivat ushtarake të Serbisë në vitin 1999, kur për 78 ditë ishte në qendër të vëmendjes botërore, Kosova sot, sipas fjalëve të Robellit, gjendet në margjinat e proceseve kryesore në Evropë. Ajo vite me radhë përçon në botë kryesisht lajme për fenomene negative që po ndodhin në vendin më të ri evropian. Perceptimet negative për Kosovën për shkak të proceseve negative, siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, por edhe paaftësia e institucioneve që të avancojnë gjendjen ekonomike për të ulur shkallën e papunësisë dhe varfërisë, kanë bërë madje që edhe miqtë e vërtet të Kosovës të fillojnë të shfaqin shenjat e dëshpërimit.
Robelli ka thënë se imazhi i jashtëm i Kosovës nuk krijohet jashtë por brenda vendit dhe se ai mund të përmirësohet vetëm me institucionet e përgjegjshme dhe qytetarët aktiv dhe serioz, të cilët duhet t’i qasen aparatit shtetëror dhe mekanizmave institucionale jo si fuqisë që qëndron mbi shoqërinë, por që është në shërbim të qytetarëve. Ai ka shtuar se qytetarët janë ata që duhet të kërkojnë përgjegjësi për keqmenaxhimin e shtetit dhe keqpërdorimet e arkës shtetërore.
Duke u përgjigjur në pyetje të shumta të studentëve, Robelli ka thënë se Kosova mund t’i kthej investimet e shumta ndërkombëtare në pavarësinë e saj vetëm duke u bërë shtet i qëndrueshëm, që do t’i inkurajoj qytetarët e vet që të zhvillojnë betejën për jetë më të mirë në vendin e tyre dhe jo të kërkojnë të ardhmen në Evropë, duke kërkuar azil politik.