Me prezantime të veçanta të studentëve lidhur me temat specifike, ka përfunduar të premten punëtoria e përbashkët, që nga fillimi i javës mbahej në Prishtinë në organizimin e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut.
Gjatë pesë ditëve të kaluara, studentët-vijuesit e punëtorisë, që vinin nga Kolegji ISPE dhe Universiteti i Heidelbergut, kanë patur rastin të njihen me specifikat kryesore të proceseve politike, ekonomike dhe diplomatike, që janë zhvilluar në Kosovë pas luftës 1998-1999.
Përveç ligjëratave nga profesorët e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut, vijuesit e punëtorisë kanë patur rastin të njihen për karakteristikat kryesore të zhvillimeve ë Kosovën e pasluftës edhe nga shumë ligjërues eminent të jashtëm dhe të Kosovës, si dhe ekspertët nga fushat e ndryshme.
Të gjitha këto u kanë shërbyer vijuesve të punëtorisë që t’i thellojnë njohuritë e veta për periudhën nëpër të cilën ka kaluar Kosova nga koha e luftës, si dhe për instrumentet kryesore me të cilat komuniteti ndërkombëtar e ka ndihmuar vendin për tu rikuperuar dhe për tu stabilizuar ekonomikisht dhe politikisht.
Ata e kanë dëshmuar këtë edhe përmes prezantimit të suksesshëm të punimeve dhe hulumtimeve të përbashkëta lidhur me temat specifike dhe konkrete nga periudha e vështruar.
Punëtoria e përbashkët kërkimore-shkencore mes Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut tashmë është kthyer në formë tradicionale të bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve, që rregullisht mbahet për çdo vjet në përfundim të vitit akademik në Kolegjin ISPE në Prishtinë.
Punëtorinë e drejtojnë profesorët e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut.
Punëtoria e sivjetme si temë kryesore të debatit dhe shqyrtimit ka “International Post-Conflict Management on the Balkans: Comparing cases and state-building dilemmas” dhe ka zhvilluar punimet nga 15 deri më 19 qershor.