MOISIU MBAN NË ISPE LIGJËRATËN KUSHTUAR SITUATËS SI SIGURISË NË RAJON

moisiispe

Në ditën e dytë të vizitës në Kolegjin ISPE, Ekselenca e Tij, ish-Presidenti i Shqipërisë, Z. Alfred Moisiu ka mbajtur për studentët dhe stafin akademik të Kolegjit një ligjëratë të veçantë kushtuar zhvillimeve të fundit në rajon.

E fokusuar mbi kontekstin aktual të sigurisë në rajon, si dhe sfidat që shtrohen përpara Kosovës dhe Shqipërisë në këtë aspekt, ligjërata po ashtu ka trajtuar edhe rolin e lidershipit në kontekstin bashkëkohor rajonal.

Pas elaborimit të situatës që ka ekzistuar në rajon në fillimin e shekullit të XX dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane, Z. Moisiu ka paraqitur evolucionin e çështjes shqiptare dhe përpjekjet e tyre për të fituar sovranitet shtetëror dhe kombëtar.

Fundi i shekullit të XX ka shënuar progres në avancimin e çështjes shqiptare dhe këtë e dëshmojnë stabilizimi demokratik i Shqipërisë, çlirimi i Kosovës “si rezultat i luftës që bënë shqiptarët dhe i përpjekjeve të (Ibrahim) Rugovës”, si dhe Marrëveshja e Ohrit. Duke e komentuar implementimin e dobët të kësaj marrëveshje, ai ka thënë se për këtë fajin e kanë jo vetëm politikanë maqedonas, që nuk e kanë çuar deri në fund obligimin që shqiptarëve tu japin disa të drejta, por edhe mungesa e unitetit dhe ndarjet në mesin e faktorit shqiptar në Maqedoni.

Për sa i përket Kosovës, ish-Presidenti i Shqipërisë ka theksuar se të drejtat që u garantohen serbëve të Kosovës, sidomos atyre në veri, janë të tilla që nuk i ka askush nga minoritetet në Evropë. “Por, shqiptarët në Luginë të Preshevës janë shumë larg këtyre të drejtave. Ky është standardi i dyfishtë dhe është i gabuar. Kjo nuk është mirë për Kosovën, krijon mosmarrëveshje e pasoja dhe mund të krijojë rreziqe,” ka thënë Moisiu, duke shtuar se për këtë fajin nuk e bartë vetëm Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe “përfaqësuesit tanë që duhet të imponojnë këtë çështje”.

Përderisa Kosova sot synon të bëhet pjesë e NATO-së dhe BE-së, Serbia nuk po tregon interes për anëtarësim në NATO dhe, madje, përçon mesazhe për vazhdimin e aleancës më Rusinë, gjë që më së qarti e shpreh Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq. Duke e shprehur bindjen se Beogradi edhe në të ardhmen do të vazhdoj me një politikë të tillë, Z. Moisiu ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të thellojnë aleancën e tyre me Perëndimin dhe, veçanërisht, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për kontekstin e sigurisë më gjerësisht në Evropë, ish-Presidenti i Shqipërisë ka thënë se aktet terroriste nuk po ndodhin vetëm së fundi por atë janë të pranishme në mënyrë të vazhdueshme viteve të fundit. Sipas tij, përveç sulmeve të mëdha që pas akteve terroriste të 11. shtatorit 2001 në SHBA kanë ndodhur në Madrid, Londër, Paris dhe Bruksel, vetëm në vitin 2014 në Evropë janë regjistruar 75 sulme terroriste në të cilat kanë pësuar afro 1.200 ndërsa janë lënduar afro 1.700 persona. Z. Moisiu, me këtë rast, ka shprehur nevojën që të analizohet se si është e mundur që në këto sulme marrin pjesë personat që kanë lindur, rritur dhe edukuar në Perëndim.

“Kosova dhe Shqipëria ndoshta për momentin nuk i ekspozohen rrezikut të sulmeve terroriste me të cilat po përballët Evropa, por ato duhet të bëjnë vlerësime të vazhdueshme nëse janë të kërcënuara me këto rreziqe dhe nuk guxojnë të neglizhojnë këtë rrezik, sidomos kur kihet parasysh që nga Iraku dhe Siria po kthehen ata që kanë marrë pjesë në luftimet atje,” ka thënë në fund të ligjëratës ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Pas ligjëratës, ai vazhdoi bashkëbisedimin me studentët, duke i komentuar pyetjet e tyre të shumta rreth situatës aktuale nëpër të cilën po kalojnë Kosova dhe Shqipëria dhe qasjes së Evropës ndaj dy vendeve tona.

Në ditën e parë të vizitës në Kolegjin ISPE të mërkurën më 30 Mars 2016, ish-Presidentit të Shqipërisë iu është ndarë titulli Doctor Honoris Causa, me të cilin Kolegji e ka shpërblyer atë për kontributin e rëndësishëm që Z. Moisiu e ka dhënë gjatë tranzicionit demokratik të Shqipërisë dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Duke e nderuar ish-Presidentin e Shqipërisë me këtë titull, rektori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, ka deklaruar se  Z. Moisiu me karrierën e tij ushtarake dhe politike “ka krijuar një model i burrështetasit të cilit duhet t’i referohemi”. Ish-Presidenti i Shqipërisë u shpreh se me këtë rast ndjehet tepër i emocionuar sepse një mirënjohje e madhe “i vjen nga vëllezërit”.

Comments are closed.