I ftuar në rolin e Kryetarit të Komunës së Preshevës z.Shqiprim Arifi sot në Kolegjin ISPE ka mbajtur një ligjëratë para një auditoriumi të gjerë të përbërë nga studentët e Kolegjit ISPE dhe media të ndryshme të cilat ishin të ftuara në këtë ligjëratë e cila është mbajtur në fillim të vitit akademik në Kolegjin ISPE.
Para studentëve të Kolegjit ISPE z.Arifi shpalosi biografinë e tij dhe nismën e tij për të ndryshuar atmosferën dhe mentalitetin e politikbërjes në Komunën e Preshevës, e cila do të ndikonte në përmirësimin edhe kualitetin e jetës për qytetarët e Komunës së Preshevës. Ai tregoi edhe për ndryshimin rrënjësor që ka ndodhur në Komunën e Preshevës me ardhjen në krye të tij në udhëheqjen Komunës së Preshevës e cila ka rezultuar në thyerjen e tabuve, dhe sjelljen e një çasje më pragmatiste e cila do të përmirësoj jetën e qytetarit në kontekstin aktual politik.
Ai foli edhe për rëndësinë që Komuna e Preshevës në rrafshin praktik të arrij t’i plotësoj standardet e kërkuar nga Bashkimi Evropian, dhe aspektet të tjera të rëndësishme të cilat do të përshpejtonin arritjen e këtyre standardave dhe përmirësimin e jetës së qytetarit në Luginë të Preshevës.
Ai foli edhe rëndësinë dhe nevojën për deideologjizim e cila do të kishte rol që të merreshin parasysh çështje më pragmatike dhe që do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptar në Luginën e Preshevës. Sipas tij angazhimi që ai ka pasur për të krijuar një atmosferë bashkëpunuese ka rezultuar me interesimin e investitorëve të ndryshëm për të investuar në Luginën e Preshevës.
z.Arifi ndër të tjera theksoi angazhimin e tij që Komuna e Preshevës të jetë një mediator ndërmjet Prishtinës-Tiranës-Beogradit dhe si e tillë të jetë një shembull dhe urëlidhëse në mes dy kombeve më të mëdha në Ballkan, kombit shqiptar dhe atij serb. z.Arifi potencoi gjithashtu që Komuna e Preshevës dhe ai personalisht do të jetë i përkushtuar që të ketë mbështetjen e të gjithëve.
Ai foli edhe për faktorizimin e shqiptarëve në shtetet ku ata jetojnë që sipas tij mund të arrihet vetëm me ndryshimin e kastës politike dhe sjelljen e një kaste politike më të re e cila do të ndikonte që të unifikohej faktori shqiptar në këto shtete. Ai gjithashtu foli edhe për ndryshimin e kontekstit politik nga vitet 90-të dhe tani, dhe që sipas tij në raport me këtë referundimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për atë kohë dhe kontekst politik që ishte është i pranueshëm.
Para studentëve të Kolegjit ISPE një fjalë rasti mbajti edhe Almin Shaqiri student në Kolegjin ISPE dhe tani në rolin e Nënkryetarit të Komunës së Preshevës. Shaqiri tha se është falënderues për Kolegjin ISPE që e ka ndërtuar dhe avancuar si një kuadër profesional. Ai foli edhe për sfidat dhe si është të jesh një i ri në Komunën e Preshevës.