Bashkimi Evropian është krijuar dhe ka dalë si pasojë dhe rezultat i luftërave në mes popujve evropian, dhe qëllimi i krijimit të saj ishte përmirësimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike, dhe me këtë vjen edhe ideja që vendet të tregtojnë në mënyrë të ndërsjellët që të qëndrojnë larg konflikteve eventuale. Që nga fillimi Bashkimi Evropian ka ruajtur dhe ka sjellë paqe, stabilitet dhe prosperitet në vendet anëtare të BE-së. Kjo kryesisht është arritur përmes lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit prej nga edhe deri tek mundësia që kompanitë të kenë mundësi për të zgjeruar punët e tyre dhe për të depërtuar në tregjet e jashtme, jashtë atyre lokale. Më poshtë do të ndalemi edhe tek internacionalizimi si çështje e rëndësishme për Tregun e Vetëm Evropian si dhe për vendet që kanë për qëllim t’i bashkëngjiten Unionit.
Fjalët kyçe: Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian, Liritë themelore, Tregu i Vetëm, Gjykata e Lartë Evropiane, Parlamenti Evropian, Komuniteti Evropian, Komisioni Evropian, Internacionalizimi
Themelimi i Tregut të Vetëm Evropian është moment kryesor në procesin e integrimit të Komunitetit Evropian. Baza për Tregun e Vetëm është tregu i përbashkët, i cili ka dalë si qëllim i Marrëveshjes për themelimin e Komunitetit Ekonomik Evropian (1957).
Pra, qëllimi i kësaj marrëveshje ishte eliminimi i barrierave në tregtinë në mes shteteve, themelimi i Unionit doganor, largimi apo heqja e barrierave për lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve; mbajtja dhe ruajtja e një sistemi i cili garanton kushte për konkurrencë të lirë, si dhe zbaton politikën tregtare.
Nga kjo mund të thuhet se Tregu i vetëm është i bazuar në katër liritë themelore të Bashkimit Evropian. Themelimi i Bashkimit Evropian është bërë më vitin 1950 me qëllimin e përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik në mes vendeve dhe kombeve evropiane. Bashkimi Evropian llogaritet si një union unik ekonomik dhe politik në mes 28 vendeve anëtare, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të vetë kontinentit të Evropës. Pra, BE-ja është krijuar dhe ka dalë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore me qëllim për përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik, dhe ideja ishte që vendet të tregtojnë në mënyrë të ndërsjellë e me këtë të qëndrojnë larg konflikteve të mundshme si më parë. Siç edhe u përmend më lartë, Bashkimi Evropian që nga fillimi ka ruajtur dhe ka sjellë paqe, stabilitet dhe prosperitet, krejt kjo me qëllimin e vetëm për ngritjen e standardit të jetesës.1
Katër liritë themelore të lëvizjes së lirë në BE
Procesi i krijimit të tregut të përbashkët sipas marrëveshjes është i definuar në periudhën prej 12 viteve, ku secila fazë kishte nga katër vjet për t’u realizuar.
Tregu i Vetëm – i krijuar dhe i bazuar sipas katër lirive themelore të lëvizjes së lirë në BE
Lëvizja e lirë e mallrave – për t’u realizuar lëvizja e lirë e mallrave është dashur të krijohet Unioni Doganor, i cili ka përfshirë largimin e disa obligimeve në mes shteteve anëtare të BE-së, adaptimin e tarifave të përbashkëta doganore në raport me vendet e treta, si dhe largimin e
kufizimeve kuantitative në mes vendeve anëtare të BE-së.
Kujdes i veçantë i është kushtuar prodhimeve bujqësore për shkak të ndjeshmërisë së politikës bujqësore të BE-së. Sipas Marrëveshjes dhe rregulloreve të tregut të përbashkët të njëjtat vlejnë edhe për këto prodhime. Sidoqoftë, BE-ja ka politikën e veçantë për Politikë Bujqësore të Përbashkët me qëllim zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm për shumicën e vendeve anëtare të Unionit.
Lëvizja e lirë e mallrave brenda Komunitetit Evropian është themeluar sipas neneve 28 dhe 29 të Traktatit për Funksiononim e BE-së. Sipas Traktatit për BE-në barrierat teknikë për të tregtuar kanë rezultuar nga rregulloret nacionale që obligojnë procedurat për produkte
industriale dhe ushqimore të plotësojnë kritere të caktuara apo të përmbushin standarde të caktuara dhe specifikime teknike. Gjithë këto bëhen për: prodhim industrial të standardizuar,
garantimin e sigurisë së të punëtorëve, mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe parandalimin apo reduktimin e ndotjes ambientale e tj. Kjo është realizuar përmes harmonizimit të legjislacioneve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe është bazuar në nenin 115.2 Me qëllim që të sigurohet lëvizja e lirë e mallrave Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE) në dispozitat e veta parasheh para së gjithash ndalimin e taksave doganore të importit dhe eksportit si dhe heqjen e kufizimeve kuantitative në mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Për këtë qëllim, siç edhe u përmend më lartë, është bërë harmonizimi i normave juridike dhe administrative i shteteve anëtare, ku gjithashtu sipas nenit 115 të TFBE-së, Bashkimi Evropian ka nxjerrë një sërë direktivash për sa i përket prodhimit, cilësisë, përdorimit dhe shitjes së mallrave. Lëvizja e lirë e njerëzve – Pas përfundimit të periudhës së Traktatit
qytetarët e Bashkimit Evropian fituan të drejtën për pranuar propozime pune, për të lëvizur lirshëm në tërë territorin e BE-së, dhe për sa i përket kësaj për të qëndruar dhe jetuar në territorin e cilitdo shteti anëtar për të punuar në pajtueshmëri me legjislacionin nacional të tij. E drejta rezidente është me rëndësi kruciale dhe ndërlidhet me mundësinë për qytetarët e
Unionit për të gjetur punë dhe për të menaxhuar sipërmarrjet e tyre në shtete tjera anëtare sipas kushteve që ofrohen edhe për qytetarët lokal të atij vendi. Për të realizuar këtë politikë Bashkimi Evropian ka zbatuar politikën e përbashkët për transport për të arritur qëllimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Dhe me këtë është arritur me garancionin për rregullore dhe procedura administrative të përbashkëta, një gjë që bën pjesë edhe në hapësirën administrative evropiane, për të lehtësuar lidhjet për transport sa më të lehtë në mes shteteve anëtare të Unionit.
Lëvizja e lirë e shërbimeve – ky lloj i lëvizjes është arritur përmes largimit të pengesave të shumta që kanë ekzistuar në të kaluarën me qëllim ofrimin e shërbimeve në sektorin industrial dhe tregtarë, si dhe profesioneve të lira. Liria e shërbimeve vlen në bazë të dispozitës të neneve 56 dhe 57 të TFBE-së për shtetasit e shteteve vendeve anëtare të cilët kanë vendbanimin e përhershëm në njërin prej shteteve anëtare. Kjo liri gjithashtu vlen edhe për personat juridik në bazë të nenit 62 në lidhje me nenin 54 të TFBE-së. Një veprimtari për t’u llogaritur si shërbim duhet të jetë me pagesë. Sipas judikaturës së Gjykatës së Lartë Evropiane me një veprimtari me pagesë kemi të bëjmë atëherë kur kjo veprimtari ekonomike ka për qëllim një profit apo fitim të caktuar.
Gjithashtu liria e ofrimit të shërbimeve ngërthen në vete edhe të drejtën për udhëtim dhe leje-qëndrim për sa i përket ofrimit të shërbimeve, edhe pse kjo nuk është e definuar shprehimisht.4 Nga kjo mund të thuhet se liria e ofrimit të shërbimeve ka për parim edhe trajtimin e barabartë në raport me vendasit për gjithë qytetarët e shteteve anëtare të Unionit. Mirëpo Gjykata e Lartë gjithashtu ka përcaktuar edhe ndalesën për kufizime tjera të cilat pengojnë ofruesin apo marrësin e shërbimit.
Kjo është bërë e lejueshme me qëllim që nëpërmjet normave juridike nacionale të shteteve anëtare në raste kur janë proporcionale dhe në interes të përgjithshëm. Përmes kësaj mbrohen interesat e përgjithshëm ku bëjnë pjesë mbrojtja e kreditorëve, debitorëve, funksionimi i organeve të drejtësisë dhe ndershmëria e tregtisë.