LIDERI I LDK-SË ISA MUSTAFA NË KOLEGJIN ISPE MBAJTI LIGJËRATË PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK TË KOSOVËS

isamustafaKolegji ISPE dhe Organizata e Studentëve Evropian kanë vazhduar me Debatin Studentor, me liderë të partive politike në Kosovë si dhe personalitete tjera të botës akademike brenda dhe jashtë vendit.
Në debatin e sotëm para studentëve të Kolegjit ISPE ka mbajtur një ligjëratë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka folur kryesisht për zhvillimin ekonomik të Kosovës në vitet në vijim.

 

Kreu i LDK-së, në fjalimin e tij para studentëve tha se, Kosova po ballafaqohet me një normë të ulët dhe relative të zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet tjera të rajonit. Këtë ai e arsyeton me faktin se jemi një vend shumë i varfër ku rritja ekonomike është gati e padukshme.
“Sipas statistikave të organizatave relevante ndërkombëtare, papunësia në Kosovës është mbi 40 për qind. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë të lëvizshme dhe ato sillen nga 32 për qind deri në 45 për qind. Ndërsa të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se shkalla e papunësisë në Kosovës është rreth 45 për qind. Kemi një papunësi të heshtur për faktin se shumica e qytetarëve kanë humbur besimin dhe nuk regjistrohen në Entin për Punësim” , deklaroi Mustafa, duke shtuar se ky trend negativ i zhvillimit ekonomik do të ndryshojë me ardhjen e LDK-së në pushtet.
Ai theksoi se, mbi 50 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri ekstreme dhe nuk kanë mundësi të sigurojë as produktet e domosdoshme për një jetë normale.
Kreu i LDK-së, gjithashtu pohoi se ka hartuar një program për zhvillimin ekonomik, i cili do të ndikojë në të ardhmen në eliminimin e bilansit negativ në tregtinë e jashtme, duke stimuluar prodhimet bujqësore si dhe nxitjen e bizneseve të reja të cilat do të drejtohen nga të rinjtë dhe gratë kosovare.
Kjo sipas tij, do të arrihet me ndryshimin e politikave fiskale, duke siguruar tatime më të ulëta për bizneset e vogla si dhe duke garantuar kreditë për bujqit dhe ndërmarrje e vogla dhe të mesme.
Mustafa ka folur gjithashtu për rënien e investimeve të huaja direkte në Kosovë si pasoj e korrupsionit masiv.
Pas përfundimit të ligjëratës u zhvillua një diskutim, ku studentët e Kolegjit ISPE parashtruan pyetje të rëndësishme, kryesisht për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Comments are closed.