Komandanti i KFOR-it Figliuolo adreson studentët e Kolegjit ISPE, apelon që të punojnë shumë për një ardhme më të mirë të gjeneratave të reja

kforgjeneral

 

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Francesco Paolo Figliuolo, të premtën më 12 qershor 2015, e ka vizituar Kolegjin ISPE në Prishtinë dhe me këtë rast ka mbajtur për studentët një ligjëratë dedikuar rolit që KFOR-i luan sot në Kosovë, si dhe arritjet dhe sfidat e tij aktuale.

 

Duke nënvizuar se “është veçanërisht i lumtur” të jetë në mesin e studentëve që “janë e ardhmja e Kosovës” sepse Kosova e së ardhmes mbështetet në “energjinë dhe aftësitë e tyre”, Gjeneral Majori Figliuolo ka thënë se mandati i KFOR-it ka qenë i autorizuar nga Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së më 10 qershor 1999 dhe në fund të bombardimeve të NATO-së dhe se qëllimi kryesor ka qenë që të ndërpritet kriza e rendë humanitare që ishte e shkaktuar nga konflikti i vitit 1999. Që nga ajo kohë, KFOR-i është duke kontribuar për një ambient të qetë dhe të sigurt, për lirinë e lëvizjes anekënd Kosovës si dhe për parandalimin e çfarëdo qoftë kërcënimi për situatën e qëndrueshme në Kosovë, përmes pozicionimit të vetë kredibël, të dukshëm dhe reaktiv.

 

Përpos mandatit të vetë kryesor, KFORI-i, sipas komandantit të tij, është duke i mbështetur institucionet lokale përmes ndërveprimeve të vazhdueshme, si dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në Kosovë (Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE). “Sot (qershor 2015) KFOR-i numëron 5.000 ushtarë, fuqinë dhe kapacitet për përmbushjen e misionit të KFOR-it dhe është i gatshëm të reagoj menjëherë ndaj çdo rreziku që mund të dëmtoj situatën e sigurisë në Kosovë. Pesë mijë ushtarë të KFOR-it janë të ndarë në tri fusha kryesore: në forcat manovruese, njësitet mbështetëse dhe detashmente të përbashkëta rajonale,” ka thënë ai.

 Falë viteve të punës së përkushtuar dhe të vazhdueshme, KFOR-i sot e gëzon “ambientin e besimit dhe të kredibilitetit” mes Kosovarëve dhe ushtarëve ndërkombëtar, ka thënë komandanti i KFOR-it, duke e cituar me këtë rast edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, i cili gjatë vizitës së paradokohshme në Kosovë ka theksuar se “KFOR-i është një storje suksesi”.

 “Mendoj se ajo që e shohim sot është rezultat i paraardhësve të mi. Kjo është arsyeja për shkak së cilës, sipas mendimit tim, duhet të njihet se përpjekjet e KFOR-it, që janë përndryshe përpjekjet e të gjitha kombeve kontribuuese, kanë sjell deri te rezultatet e prekshme. Duhet të pranohet se falë KFOR-it dhe aksioneve të tij korrekte dhe paanshme, popullata e Kosovës është në gjendje që t’i gëzoj kushtet që i ka mundësuar asaj të filloj ecjen në rrugën e normalizimit. Edhe pse diçka ka mbetur për tu bërë, ne pa asnjë dilemë mund të themi se shumë gjë është arritur,” ka thënë ai.

 Gjeneral Majori Figliuolo ka thënë se KFOR-i aktualisht ballafaqohet me dy sfida. “I para ka të bëjë me funksionimit e tij si një forcë sigurie që është përgjegjëse për mundësimin e mjedisit të sigurt dhe stabil si dhe lirinë e lëvizjes, duke u rezistuar joshjeve për të interferuar në aksionet e organizatave lokale të sigurisë. “Për të zgjidhur këtë problem, ne në mënyrë konstante po e fuqizojmë bashkërendimin me ta,” ka theksuar gjeneral majori italian. Sfida e dytë është implementimi i mandatit të KFOR-it në kuadrin e një skenari që ndryshon vazhdimisht. Në fakt, mandati autentik i KFOR-it ka qenë i përcaktuar në vitin 1999 dhe ai mbetet valid dhe i pandryshuar edhe sot, por situata aktuale në Kosovë nuk është e njëjtë sikur ajo e para 16 vjetëve, ka shtuar ai. “Pra, përpjekja kryesore e KFOR-it në këtë aspekt është që t’i modeloj aksionet e veta në rrugë fleksibile, duke monitoruar evoluimin e sigurisë, por edhe zhvillimeve politike, ekonomike e sociale. Vetëm në këtë mënyrë KFOR-i mund të adoptoj një qasje gjithëpërfshirëse në procesin për nxjerrjen e vendimeve dhe mund të gjej solucionin më të pranueshëm për çdo situatë,” ka shtuar ai.

 “Por, sfida më e rëndësishme për KFOR-in, pa dilemë, është krijimi i konditave të nevojshme për tërheqjen e tij nga Kosova. Natyrisht, kjo ka qenë një nga detyrat më të rëndësishme për KFOR-in, sidomos pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës në 2008. Në fakt, nga ky çast, ishte shumë e qartë se rezultati ultimativ i pranisë ndërkombëtare në Kosovë është që t’i lë Kosovarët të ecin me këmbë të veta drejt së ardhmes së tyre,” ka thënë Gjeneral majori Figliuolo.

 Duke folur për eksperiencën e tij personale pas më tepër se 9 muaj në krye të KFOR-it ai ka thënë se ai ndjehet shumë i sigurt kur thotë se sfida kryesore për Kosovën është ajo e zhvillimit ekonomik “sepse rritja ekonomike dhe mirëqenia e popullatës janë përcaktuese për zgjidhjen e një seri të problemeve të ndërlidhura”.

 “Duke u nisur nga kjo, unë jam vërtet i bindur se një zhvillim i mirë ekonomik mund të filloj vetëm nëse Kosova bëhet e aftë që të krijoj strukturën prodhuese duke i përfshirë të gjitha sektorët kryesor (bujqësinë dhe industrinë në radhë të parë). Ky duhet të jetë prioriteti kryesor i një plani të mirë dhe të gjithanshëm për të ardhmen e Kosovës.” Sipas komandantit të KFOR-it, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik respekton mjedisin, diversitetin, trashëgiminë kulturore dhe pushtetin e ligjit. “Krejt kjo do të mund të bëhet nëse të gjitha energjitë më të rëndësishme, mentale dhe fizike, mbeten në Kosovë duke punuar shumë në ndërtimin e së ardhmes së mirë për gjeneratat e ardhshme. Kjo është arsyeja përse KFOR-i është, po ashtu, i involvuar në përçimin shumë të qartë të këtij mesazhi për popullatën. E ardhmja e juaj dhe e vendit Tuaj varët thellësisht nga zotimi dha sakrifikimi i atyre të cilët sikur ju kanë potencial të bëjnë ndryshime. Për të arritur këto objektiva të rëndësishme është thelbësore që të krijohet dhe të mbahet në shoqërinë e tërësishme kultura e respektit për të gjitha vlerat e përmendura më parë, që për qëllim kanë arritjen e benefiteve të prekshme dhe jo vetëm të atyre teorike. Kultura vjen nga formimi i kualitetit të lartë të gjeneratave të ardhshme, pa paragjykime dhe neutrale ndaj diversitetit (në etni, religjion etj). Dhe unë mendoj se kolegji juaj është një shembull perfekt i asaj që është e nevojshme dhe çfarë unë jam duke bërë përpjekje për të mbështetur,” ka thënë komandanti i KFOR-it, Gjenarl Majori Francesco Paolo Figliuolo gjatë bashkëbisedimit me studentët e Kolegjit ISPE.

 

Comments are closed.