Kolegji ISPE ka organizuar më 11 mars 2015 konferencën ndërkombëtare që iu kushtua çështjeve kryesore me të cilat Kosova përballët në integrimet evropiane. E titulluar “Rruga e Kosovës Drejt Bashkimit Evropian: Sfidat dhe Prioritetet” dhe e kryesuar nga Prof. Dr Bengt Beutler (Universiteti i Bremenit), konferenca është fokusuar mbi sfidat e integrimit dhe kushtet që Kosova duhet t’i përmbush për të bërë hapa më të mëdhenj dhe më të shpejtë drejt integrimit në familjen evropiane, së cilës ajo i takon dhe ku ajo e sheh të ardhmen e vet të vetme.
Folësit kryesor në konferencë ishin: i dërguari special i BE-së në Kosovë Samuel Žbogar, Nataša Kandić nga Fondi për te Drejtën Humanitare (HLC), Erhard Busek, ish-shefi i Paktit për Stabilitetin e Evropës Juglindore, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ian Cliff dhe Milena Tutsch nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.
Në fjalimin e tij (AUDIO), Z. Žbogar ka thënë, mes tjerash, se heqja e vizave dhe lëvizja e lirë drejt zonës Schengen për qytetarët e Kosovës nuk është mjet për tu ikur problemeve. Ai ka shtuar se Kosova duhet të ofrojë argumente bindëse për vendet anëtare të BE-së se e meriton t’i hiqen vizat. “Procesi i liberalizimit të vizave varet nga plotësimi i kritereve,” ka thënë ai dhe ka shtuar se Kosova ka miratuar ligje të nevojshme, por tashmë lypset luftimi i korrupsionit në nivel të lartë.
Duke u inkuadruar në debat (AUDIO), Znj. Kandić është shprehur skeptike për të ardhmen e rajonit, pa u qartësuar e kaluara dhe përgjegjësia ndërmjet vendeve që kanë luftuar. Ajo ka thënë “se me gjithë krimet e shumta që janë bërë në Kosovë, drejtësia ende nuk ka shkuar në vend madje për krime sot shumë pak flitet e debatohet. “
Ndërkaq Z. Busek, ka thënë (AUDIO)thënë se stabiliteti i rajonit është i rëndësishëm në perspektivën e tij drejt familjes evropiane. “Integrimi është proces i vështirë edhe për faktin se vullneti për zgjerim brenda vendeve të BE-së nuk është shumë i lartë, për shkak të problemeve të brendshme. Megjithatë, Evropa Lindore dhe Ballkani janë pjesë të Evropës,” ka thënë ai.
Ambasadori britanik Cliff ka thënë (AUDIO)se vendi i tij është duke punuar me pesë vende e BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, për t’i bindur ato që ta njohin Kosovën. Qëllimi i këtij lobimi britanik, sipas fjalëve të tij, është që të tregohet “se Kosova është një vend normal në Evropë dhe meriton të njihet”.
Znj. Tutsch nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë ka thënë (AUDIO),se politika e vendit të saj qëllim final e ka integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. “Por, për të arritur këtë duhen reforma të mëdha,” ka thënë ajo.
Pas fjalëve të panelistëve ka pasuar sesioni i pyetjeve dhe përgjigjeve, ku studentët e Kolegjit kanë shprehur interesim të madh sidomos për sfidat e pajtimit dhe llogaridhënies për krimet e luftës, si kushtet që e afrojnë Kosovën më shumë me BE-në.
Në paraqitjen e tij përmbyllëse (AUDIO), Z. Busek ka thënë se nga përmbushja e kushteve varet në radhë të parë lëvizja më e shpejtë e Kosovës drejt BE-së. “Nuk duhet pritur gjithmonë nga BE-ja se çfarë kontributi do të japë, por të shikohet se çka mund të bëjnë kosovarët për BE-në,” ka përfunduar ai.
Për të dëgjuar rrjedhën e konferencës në tërësi, klikoni në: