Kolegji ISPE, FDH Kosovë: Marrëveshje Bashkëpunimi për Drejtësinë Tranzicionale

Foto1

Kolegji ISPE dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) kanë nënshkruar më 20 mars 2015 marrëveshjen për bashkëpunim kushtuar implementimit të projektit të drejtësisë tranzicionale në Kolegjin ISPE.

Drejtori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, dhe drejtori i FDH Kosovë, Bekim Blakaj, janë dakorduar me këtë rast që FDH Kosovë të merr përsipër organizimin e ligjëratave për studentët e Kolegjit ISPE në të cilat do të trajtohen standardet dhe nocionet teorike, si dhe praktika e deritanishme në zbatimin e drejtësisë tranzicionale në shoqëritë të dala nga konfliktet apo ato që gjenden në tranzicion. Në këtë kuadër, ligjëratat do ta përfshijnë Kosovën si rast studimi.

Sipas marrëveshjes, FDH Kosovë do të organizojë gjatë semestrit pranveror të vitit akademik 2014/15 një seri ligjëratash informuese mbi drejtësinë tranzicionale për të gjithë studentët e Kolegjit ISPE, ndërsa në vitin e ardhshëm akademik 2015/16, FDH Kosovë do të inkuadroj dhe do të zhvilloj subjektin e drejtësisë tranzicionale si modul të veçantë në kuadër të programit master të Kolegjit ISPE.

Kjo do të jetë hera e parë që tema e drejtësisë tranzicionale do të implementohet në formë të modulit të veçantë në një institucion universitar në Kosovë.

Marrëveshja për bashkëpunim në mes të Kolegjit ISPE dhe FDH Kosovë është rezultat i bashkëpunimit të deritanishëm të frytshëm mes palëve nënshkruese në promovimin e të drejtave të njeriut, sidomos atyre që rezultojnë nga adresimi i drejtësisë tranzicionale në Kosovë.

Për shkak të interesit reciprok të palëve nënshkruese për të thelluar këtë bashkëpunim në drejtim të zgjerimit të njohurive të studentëve të Kolegjit ISPE në fushën e drejtësisë tranzicionale, palët janë zotuar që ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen dhe se marrëveshjen e tyre për promovimin e drejtësisë tranzicionale do ta vazhdojnë edhe pas vitit të ardhshëm akademik. 

Comments are closed.