Kolegji ISPE, në bashkëpunim me Universitetin Heidelberg në Gjermani, do të organizojnë edhe në vitin akademik 2015/16 lëndën e përbashkët një semestrale.
Ky është viti i katërt me radhë që Kolegji ISPE për studentët e vet organizojnë programe të përbashkëta akademike-hulumtuese me studentët e Universitetit Heidelberg.
Sylabusi i programit të sivjetshëm (International Post-Conflict Management on the Balkans: Comparing Cases and State-Building Dilemmas) do të fokusohet mbi impaktin e menaxhimit të pas luftës që e ka bërë komuniteti ndërkombëtar në Ballkan.
Programi do të drejtohet nga Prof. Dr. Sebastian Harnisch dhe Nikolaus Rentrop, M.A. nga ana gjermane dhe Dr. Avni Mazreku, nga ana kosovare.
Të gjithë studentët të niveleve bachelor dhe master, që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë program, duhet të paraqiten në administratën e Kolegjit ISPE deri më 12. shkurt 2016.
Nga studentët e përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë lëndë, pritet angazhim intensiv, pjesëmarrja e rregullt në program si dhe disiplinë përgjatë gjithë kohës në mënyrë, që në fund të programit studentët të prezantojnë me sukses rezultatet në hulumtimet e veta, të kryera në kuadër të kësaj lënde të përbashkët.
Kushtet dhe kriteret për aplikim janë: njohja e mirë e gjuhës angleze në të folur dhe shkrim; nota mesatare mbi 8.5; njohuri paraprake për temën kryesore të projektit; si dhe gatishmëri për të punuar në grup dhe në ambient shumë-etnik dhe shumë-kulturor.
Numri i kredive për këtë lëndë është 12.
Programi do të fillojë me trajnime intensive të gjuhës angleze me Prof. Shaun Hughes.