Punëtoria e përbashkët e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut nga Gjermania, të enjten, më 18 qershor 2015, ka vijuar punimet me ligjëratën për drejtësinë tranzicionale, që e kanë mbajtur përfaqësuesit e Fondit për të Drejtën Tranzicionale (FDH), Bekim Blakaj dhe Dea Dedi.
Pas shfaqjes së një filmi dokumentar, që e trajton temën e nxënësve me përkatësi të ndryshme nacionale që i vijojnë mësimet nën të njëjtin kulm shkollor por të ndarë në paralele etnikisht të ndara, prezantuesit e FDH-së kanë paraqitur konceptin bashkëkohor të së drejtës tranzicionale, e cila imponohet si sfidë e veçantë për shoqëritë që kanë dal nga lufta apo konfliktet e brendshme civile.
Blakaj dhe Dedi kanë shpjeguar se drejtësia tranzicionale është mënyra për të adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në të kaluarën, në mënyrë që popujt të mund të bëjnë hapa përpara drejt paqes së qëndrueshme dhe të përgatisin terrenin për pajtim eventual. Ata kanë theksuar se drejtësia tranzicionale imponohet pas çdo lufte apo konflikti, sepse vendet në tranzicion ballafaqohen shpesh me trashëgiminë e rëndë, që përmbahet nga shumë shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime serioze të luftës të kryera në të kaluarën, të cilat nuk mund të adresohen nga gjykatat për shkaqe të ndryshme.
Ata kanë theksuar se adresimi i sfidës së drejtësisë tranzicionale nuk përbën një kërkesë që bota moderne, e cila nuk ka pasur konflikte për një kohë të gjatë, e drejton nga shoqëritë që kanë kaluar nëpër luftë apo konflikt, por bëhet fjalë për një nevojë thelbësore dhe kusht të cilin duhet përmbushur nëse synohet pajtimi etnik dhe zgjidhja e të gjithë çështjeve që kanë mbetur të hapura pas luftës apo konfliktit.
Si instrumentet kryesore të drejtësisë tranzicionale ata kanë veçuar: ndjekjet dhe gjykimet penale, komisionet e së vërtetës, dëmshpërblimet (reparacionet) dhe reformat institucionale.
Vijuesit e punëtorisë kanë treguar interesim të madh për punën dhe detajet e angazhimit të hulumtuesve të FDH-së në terren. Ata sidomos donin të dinin për saktësinë e të dhënave që kjo organizatë prominente siguron gjatë hulumtimeve në terren, vështirësitë e punës në sigurimin e evidencës dhe rezultatet që FDH ka arritur deri më tani në zbatimin e projektit të drejtësisë tranzicionale në Kosovë.
Pjesë të veçantë të prezantimit të FDH-së ishte baza e të dhënave për viktimat e luftës së Kosovës 1998-1999. Falë punës dhe hulumtimeve shumëvjeçare në terren anekënd Kosovës, FDH ka arritur të hartoj deri më tani bazën më të besueshme dhe më të saktë të të dhënave për persona të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Bëhet fjalë për një projekt dhe një rezultat unik, i cili kur të përfundoj do të jenë ne dispozicion të të gjithë qytetarëve, por edhe të hulumtuesve dhe analistëve për punë dokumentuese dhe shkencore.
Punëtoria e përbashkët kërkimore-shkencore mes Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut tashmë është kthyer në formë tradicionale të bashkëpunimit shkencor mes dy institucioneve, që rregullisht mbahet për çdo vjet në përfundim të vitit akademik në Kolegjin ISPE në Prishtinë.
Ajo drejtohet nga profesorët e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut. Punëtoria e sivjetme, që mbahet në Kolegjin ISPE, si temë kryesore të debatit dhe shqyrtimit ka “International Post-Conflict Management on the Balkans: Comparing Cases and State-Building Dilemmas” me Kosovën si një nga rastet e studimit.
Punëtoria do të zhvilloj punimet nga 15 deri më 20 qershor.