Ambasadorja Gjermane Mban Ligjëratë në ISPE

IMG 0764 2

Ambasadorja Gjermane në Kosovë, Angelika Viets, të mërkurën më 14. janar 2015, ka vizituar Kolegjin ISPE. Me këtë rast, ajo ka mbajtur për studentët një ligjëratë me temën “Procesi i Liberalizimit të Vizave me Kosovën”.

Ambasadorja Viets ka folur për aspektet më të rëndësishme të procesit të negocimit, që Kosova e ushtron me BE-në me qëllim heqjen e regjimit të vizave për udhëtim dhe qëndrim të shkurtër të qytetarëve të Kosovës në vendet anëtare të Zonës së Shengenit.

Ajo ka shpjeguar se pas adresimit të kritereve për liberalizimin e vizave nga një vend i caktuar, është Këshilli i Bashkimit Evropian ai që është përgjegjës për nxjerrjen e vendimit final për heqjen e regjimit të vizave. Lidhur me Kosovën, ajo ka theksuar se Këshilli i BE-së e ka rikonfirmuar mundësinë që Kosova të gëzoj regjimin pa viza me Zonën Shengen pas përmbushjes së të gjitha kritereve, pa marr parasysh faktin se ajo ende nuk është njohur nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Diplomatja gjermane ka thënë se migrimi i fundit i madh i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve anëtare të BE-së e dobëson pozitën negociuese të Kosovës dhe shanset e saj që shpejt të liberalizoj regjimin e vizave. Ajo ka shtuar se 98 për qind e kërkesave për azil, që kanë arritur së fundi nga Kosova, janë refuzuar në mënyrë të përgjithshme.

Pas ligjëratës, ambasadorja Viets u është përgjigjur pyetjeve të shumta të studentëve lidhur me sfidat me të cilat Kosova përballet në adresimin e kritereve për liberalizimin e regjimit të vizave me Zonën Shengen.

Vizita e ambasadores Viets vjen në vazhdën e vizitave të personaliteteve të shquara vendore dhe ndërkombëtare në Kolegjin ISPE dhe ligjëratave të tyre për çështje aktuale nga interesi i përgjithshëm i shoqërisë kosovare.

Biografia e Ambasadorës Viets:

http://www.pristina.diplo.de/Vertretung/pristina/sq/02/Leiter__und__Abteilungen/Kopie_20von_20seite-lebenslauf-viets.html

Comments are closed.