Ambasadori i Shqipërisë Minxhozi mban ligjëratë në Kolegjin ISPE

amsq

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë të premten, gjatë një ligjërate për studentët e Kolegjit ISPE, se viti që po e lëmë pas ka shënuar një hap tutje në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se përkundër interesit të madh të Tiranës për stabilitet politik në Prishtinë, Shqipëria nuk do të tentoj të ndërmjetësoj në zgjidhjen e krizës aktuale nëpër të cilin po kalojnë marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës në Kosovë, sepse ajo mendon se në Prishtinë ka mjaft hapësirë politike për zgjidhen e sfidave me të cilat përballet Kosova.

Duke e ilustruar avancimin e marrëdhënieve të gjithanshme mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2015, ai e ka përmendur rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve në vitin që po e lëmë pas për 15 për qind.

Si shembuj të tjerë pozitiv të avancimi të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka përmendur përfundimin shumë të shpejt të linjës energjetike që do t’i lidh rrjetet për transportin e rrymës elektrike mes dy vendeve, ngritjen e shkëmbimeve turistike, hapjen e pikave të reja kufitare e doganore dhe avancimin e lëvizjeve të lira në zonat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Nuk jemi të kënaqur, sepse ambiciet i kemi më të mëdha që synojnë ngritjen e një tregu të përbashkët,” ka thënë ambasadori i Shqipërisë.

“Qëllimi i politikës së jashtme të Shqipërisë është që të bëhet zë i Kosovës në të gjitha nismat rajonale e ndërkombëtare ku ajo ende nuk është anëtare,” ka shtuar ai duke shpjeguar lobimin e vendit të tij në njohjen sa më të gjerë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Por, ai ka theksuar se në mes të dy vendeve ende ka çështje që kërkojnë zgjidhje dhe si shembull ka përmendur njohjen e diplomave, ku Shqipëria i njeh të gjitha diplomat kosovare  që njihen nga shteti i Kosovës, ndërsa diplomat nga Shqipëria i nënshtrohen procedurës së njohjes (nostrifikimit) nga ana e autoriteteve arsimore kosovare.

Shqipëria, sipas ambasadorit Minxhozi, nuk do të ndalet së lobuari për avancimin e statusit të pakicave shqiptare në vendete ndryshme të rajonit dhe në këtë kuadër ajo angazhohet që shqiptarët e Luginës së Preshevës ta gëzojnë të njëjtin status sikur ai që e kanë Serbët e Kosovës. “Kërkojmë një standard. Asgjë më shumë dhe as më pak,” ka thënë ai.

Ligjërata e ambasadorit Minxhozi u pasua nga pyetjet e shumta të studentëve të Kolegjit ISPE për marrëdhëniet dh çështjet më aktuale mes Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në proceset aktuale nëpër të cilat po kalojnë dy vende dhe i rajoni si i tërë.

Comments are closed.