Ambasadori i Shqipërisë Mban Ligjëratë në ISPE

 ambasadorialb

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, Qemal Minxhozi, e ka vizituar të enjten më 11 qershor, 2015, Kolegjin ISPE dhe me këtë rast ka mbajtur një ligjëratë për studentët e Kolegjit, kushtuar marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

 

Në hyrje të ligjëratës së tij, Zoti Minxhozi ka thënë se misioni kryesor i tij dhe i ambasadës së Shqipërisë në Kosovë është rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve të gjithanshme në mes të dy vendeve. Ai ka shtuar se shuma prej 175 milionë eurove, sa kap totali i shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës brenda një viti, nuk është e kënaqshme dhe se rritja e tyre domethënëse mund të bëhet vetëm përmes krijimit të tregut të integruar mes dy vendeve.

 

Si shembull më të mirë të krijimit të sistemeve të përbashkëta dhe të integruara ekonomike mes dy vendeve ai ka përmendur sistemin elektro-energjetik dhe ndërtimin e linjës së interkonjekcionit elektrik mes Kosovës së Shqipërisë, i cili është në përfundim e sipër nga ana e Kosovës. “Kjo linjë i heq prangat përgjithmonë Kosovës për të importuar rrymë nga Shqipëria dhe anasjelltas. Është pavarësia e dytë e Kosovës,” ka thënë Zoti Minxhozi duke shtuar se falë kësaj linje asetet e bollshme në ujë në Shqipëri dhe të thëngjillit në Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike do të jenë të shfrytëzueshme në të dyja anët e kufirit .

Nga këndi ekonomik, ai ka përmendur si shumë të rëndësishme edhe hapjen e portit të Shëngjinit për Kosovën, i cili “do të krijojë një hapësirë plus për mallrat dhe njerëzit e Kosovës për të lëvizur drejt Perëndimit”.

Duke u përgjigjur në pyetje të shumta të studentëve, ambasadori Minxhozi ka thënë se politika e jashtme e Shqipërisë e konsideron njohjen ndërkombëtare të Kosovës nga numri sa më i madh të shteteve si një nga prioritetet e saj. “Shqipëria ka qenë e pranishme në të gjitha njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Nuk ka takim diplomatik dhe ndërkombëtar ku Shqipëria nuk e ngrit lartë këtë çështje dhe ku nuk përmendet Kosova,” ka thënë ai për të shtuar se Shqipëria aktualisht po lobon edhe për inkuadrimin e Kosovës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropiane (OSBE) dhe Këshillin e Evropës (KE). “Agjenda e jashtme e Shqipërisë është e njëjtë sikur agjenda e Kosovës. Këtu kemi një bashkëpunim dhe një koordinim të plotë,” ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi.

Comments are closed.