Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të enjten më 14 maj 2015, ka vizituar Kolegjin ISPE dhe më këtë rast ka mbajtur një ligjëratë për studentët lidhur me vizionin e tij për kryeqytetin e Kosovës, sfidat më madhore ti tij dhe mënyrat për adresimin e tyre.
Ai ka thënë se strategjia e tij që nga fillimi i mandatit të tij është që t’i inkurajoj qytetarët e Prishtinës që të bëhen faktor aktiv në menaxhimin e kryeqytetit dhe adresimin e sfidave me të cilat ata përballën dita ditës. “Komuna është vendi i parë ku qytetarët shkojnë kur ballafaqohen me problemet në shërbimet për të cilat kanë nevojë dhe qëllimi jonë është që komuna të jetë në shërbim të tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët do të mund të konsiderojnë atë si shtëpinë e vet”, ka thënë ai.
Ahmeti ka folur për sfidat kryesore me të cilat ai është preokupuar që nga ardhja në pushtet dhe që, në radhë të parë, kanë të bëjnë me infrastrukturën. Ai ka përshkruar aktivitetin e tij të deritanishëm në adresimin e problemeve me madhore të Prishtinës që kanë të bëjnë me kapacitetet e limituara të kanalizimit, prodhimit të ujit të pijes dhe hapësirës së pamjaftueshme për parking. Këto probleme, sipas tij, nuk mund të zgjidhen brenda natës por qytetarët mund të presin me optimizëm zgjidhjen e tyre, sepse komuna është duke punuar që kjo infrastrukturë të zgjerohet dhe modernizohet me qëllim që t’i përmbush nevojat për afro 670 mijë qytetarë.
Kryetari i Prishtinës ka shpjeguar edhe masat që po ndërmerren për zgjidhjen e problemeve të trafikut urban, të numrit të pamjaftueshëm të çerdheve, parqeve dhe hapësirës së gjelbëruar. Ai ka shtuar se këto janë preokupime kryesore të pushtetit komunal dhe se kjo mund të duket e pajustifikueshme për ndërtimtarët, por komuna nuk do të lejojë më ndërtimet e egra dhe pa plan, por do të insistoj që ato të përcillen me një ambient të humanizuar përreth ndërtimeve të reja, me hapësirë të mjaftueshme për parkim, zona të gjelbëruar, çerdhe dhe shkolla. “Nga viti 1999 llogaritet se në ndërtime të reja në Prishtinë janë investuar afro 2 miliardë euro, ndërsa komuna në këtë periudhë ka investuar në infrastrukturë përcjellëse vetëm 150 milionë euro,” ka thënë ai për të shpjeguar përse politika e ndërtimeve në kryeqytet duhet të jetë në përputhje me politikën e zhvillimit të infrastrukturës së nevojshme për këto ndërtime.
Ahmeti ka thënë se pushteti i tanishëm i Prishtinës ka për qëllim që në menaxhimin e komunës të vendos rend dhe rregull , si në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve ashtu edhe në funksionimin e brendshëm të aparatit komunal. Andaj, aleatët kryesor të kësaj politike do të mund të jenë vetëm qytetarë dhe kjo është arsyeja përse ata inkurajohen që të jenë aktiv dhe të ndihmojnë në evitimin e fenomeneve të këqija, ka thënë kryetari i Prishtinës.