Studentët e ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut Vizitojnë Komunën e Prishtinës

ispe heidelber prshpendahmti

Në kuadër te punëtorisë së përbashkët të Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut nga Gjermania, studentët – vijuesit e punëtorisë e kanë vizituar të enjten, më 18 qershor 2015, Komunën e Prishtinës dhe kanë biseduar me kryetarin Shpend Ahmeti.

Në njoftimin e tij hyrës dhe duke folur për planet dhe vizionin e tij për kryeqytetin e Kosovës, Ahmeti ka thënë se qëllimi kryesor i tij dhe ekipit të tij është që ta bëjë sa më funksional kryeqytetin e Kosovës për qytetarët e tij. Ai ka thënë se brengat e qytetarëve për zhvillimin e kryeqytetit dhe funksionimin e papenguar të shërbimeve kryesore komunale janë edhe brengat e administratës dhe drejtuesve të komunës, të cilën ai e udhëheq.

Ahmeti ka shpjeguar se një nga angazhimet e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij është që t’i lehtësoj sa më shumë që është e mundur qasjen e papenguar dhe efikase të qytetarëve në shërbimet komunale për të implementuar parimin se komuna ekziston dhe kujdeset për interesat e qytetarëve.

Si qëllimet më të rëndësishme të udhëheqjes komunale, ai ka renditur adresimin dhe zgjidhjen e problemeve kronike të kryeqytetit kosovar siç janë mungesa e ujit, funksionimi i dobët i transportit publik, definimi dhe respektimi i planit bashkëkohor urbanistik, që do t’i parandalonte ndërtimet e egra dhe ilegale, si dhe krijimi dhe zgjerimi i zonave të gjelbra dhe rekreative për qytetarët.

Në bashkëbisedim me kryetarin e Prishtinës, studentët kanë treguar interesim të veçantë për programin e Lëvizjes Vetëvendosje së cilës ai i takon, situatën politike në vend, situatën në veri të vendit, politikën ndaj minoriteteve, Gjykatën Speciale dhe shumë çështje tjera me të cilat Kosova po përballët aktualisht.

Punëtoria e përbashkët kërkimore-shkencore mes Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut tashmë është kthyer në formë tradicionale të bashkëpunimit shkencor mes dy institucioneve, që rregullisht mbahet për çdo vjet në përfundim të vitit akademik në Kolegjin ISPE në Prishtinë.

Ajo drejtohet nga profesorët e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut. Punëtoria e sivjetme si temë kryesore të debatit dhe shqyrtimit ka “International Post-Conflict Management on the Balkans: Comparing Cases and State-Building Dilemmas” me Kosovën si një nga rastet e studimit.

Punëtoria do të zhvilloj punimet nga 15 deri më 20 qershor. 

Comments are closed.