Sekretari i MPJ Kreshnik Gashi dhe Ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi Ligjërojnë në Kuadrin e Punëtorisë së Përbashkët mes Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut

IMG 6274

Sekretari i MPJ Kreshnik Gashi dhe Ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi Ligjërojnë në Kuadrin e Punëtorisë së Përbashkët mes Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut

Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Gashi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, Qemal Minxhozi, kanë mbajtur të martën, më 16 qershor 2015, ligjërata të veçanta në kuadër te sesioneve te përbashkëta, që Kolegji ISPE ka organizuar së bashku me Universitetin e Heidelbergut nga Gjermania, në kuadrin e punëtorisë së përbashkët kërkimore-shkencore të dy institucioneve të arsimit të lartë.

Duke i adresuar studentët kosovar dhe gjerman, Gashi ka shpjeguar prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës, që konsistojnë në rritjen sa më të madhe të numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga pjesa e botës që ende nuk e ka bërë këtë, si dhe inkuadrimin sa më të gjerë të vendit në mekanizmat ndërkombëtare, si ata në rrafshin evropian ashtu edhe në atë gjithë ndërkombëtar.

AI ka shpjeguar edhe përpjekjet që diplomacia e Kosovës është duke i bërë në planin e shpejtimit të integrimeve evropiane të vendit, si dhe në përfundimin sa më shpejtë të procesit të konkludimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asiociim me BE-në dhe procesit të liberalizimit të vizave. Njëherë, kur këto procese përfundojnë, Kosova sipas fjalëve të Gashit do të mund të llogarisë se ka krijuar për të parën here në historinë e saj marrëdhëniet kontraktuale me BE-në.

Ambasadori Minxhozi, në fjalën e tij pranë grupit të përbashkët të studentëve nga Kosova dhe Gjemania, ka folur për sfidat më të mëdha që gjenden para shoqërive në rajon në bashkërendimin e tyre me Evropën dhe në transformimin, reformimin dhe përgatitjen e tyre për tu inkuadruar në përbërje të Bashkimit Evropian. Ai ka veçuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nismën e njohur si Procesi i Berlinit, të cilën vitin e kaluar e ka lansuar kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Kjo nismë, sipas fjalëve të tij, ka për qellim që t’i inkurajoj, ndihmoj dhe drejtoj fuqishëm vendet e rajonit drejt integrimit me BE-në.

Duke folur për eksperiencat e Shqipërisë në procesin e integrimeve evropiane, ai ka thënë se paralelisht me përpjekjet e saj për të adoptuar standardet e BE-së, vendi i tij tenton që t’i kaloj eksperiencat e veta dhe t’i ndihmoj Kosovës që t’i mos përsërit gabimet që ajo i ka bërë gjatë tranzicionit, sepse kjo periudhë në Shqipëri ka zgjatur për 25 vjet.

Punëtoria e përbashkët kërkimore-shkencore mes Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut tashmë është kthyer në formë tradicionale të bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve, që rregullisht mbahet për çdo vjet në përfundim të vitit akademik në Kolegjin ISPE në Prishtinë dhe të cilën e drejtojnë profesorët e Kolegjit ISPE dhe Universitetit të Heidelbergut. Punëtoria e sivjetme si temë kryesore të debatit dhe shqyrtimit ka “International Post-Conflict Management on the Balkans: Comparing cases and state-building dilemmas” dhe do të zhvilloj punimet nga 15 deri më 20 qershor. 

Comments are closed.