Studentët e ISPE-së Marrin Pjesë në Panairin e BE-së

zhbogar

Studentët e Kolegjit ISPE kanë marrë pjesë në panairin e BE-së, që të premten, me 8 maj, në Prishtinë e ka organizuar Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e shënimit të Ditës së Evropës.

 

Për Kolegjin ISPE në panair ka qenë e rezervuar një vend-qëndrim (stendë) e veçantë ku studentët kanë prezantuar broshura dhe material tjetër informues për Kolegjin si dhe kanë shpërndarë për vizitorë fletore, fanella dhe kapela me logon e ISPE-së. Studentët a kanë shfrytëzuar këtë rast edhe për të bashkëbiseduar me vizitorë për temat që lidhen me Bashkimin Evropian.

“E kemi promovuar punën tonë në Kolegj që ka të bëjë me studime për BE-në për të cilat ne kemi një program të veçantë. I kemi informuar vizitorët e shumtë për zhvillimet më aktuale në integrimet evropiane, si dhe për atë ku gjendet Kosova në këtë proces,” ka thënë studentja e vitit të parë të Fakultetit për Studime të Integruara Evropiane, Blerta Aruqaj.

 

“Kemi pasur shumë vizitorë nga moshat më të ndryshme, të rinjtë, të vjetër, nxënësit. Maturantët interesoheshim për mënyrën e regjistrimit në kolegjin tonë, të tjerë me arsyetimin se kanë dëgjuar për kolegjin tonë donin të dinin më shumë për të. Thjesht, ishte kjo një ditë e suksesshme në komunikimin tonë me qytetarët e Prishtinës,” ka thënë Fatime Ramadani, studentja e vitit të parë të Fakultetit për Studime të Integruara Evropiane.

 

Në stendën e Kolegjit të ISPE-së në panair u organizua edhe kuizi, ku të gjithë ata që përgjigjeshin saktë në pyetjet për BE-në fitonin një shpërblim të veçantë. Në mesin e pjesëmarrësve në kuiz ishte edhe i dërguari special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili u shpërblye me një bllok shënimesh me logon e Kolegjit ISPE-së, pasi u përgjigj saktë në një pyetje të studentëve.

 

Përveç Kolegjit ISPE, stendat e veçanta në panairin njëditor për BE-në kanë qenë të rezervuara për ambasadat e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Austrisë, Finlandës, Hungarisë, Italisë dhe Suedisë, si dhe për EULEX-in dhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Comments are closed.