Abstrakt
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u gjetën të pa përgatitura nga sulmet e AlKaedës me 11 Shtator 2001. Ajo u sulmua në pikat më nevralgjike të saj. Gjatë këtyre viteve janë bërë deklarata, janë shtruar hipoteza, janë bërë pohime të ndryshme, janë shkruar libra dhe nuk rezulton një përfundim i saktë, që sulmi terrorist dhe Lufta në Irak mund apo nuk mund të parandaloheshin. Nga studimi i dokumentave dhe pohimeve të bëra në librat që kanë shkruar protagonistë të ngjarjeve rezultojnë thënie e kundërthënie, akuza e kundërakuza, dëshmi, pohime, deklarime, por edhe reflektime si pranime të gabimeve të bëra dhe neglizhime të vlerësimit e trajtimit të informacioneve të rëndësishme. Evidentohen edhe moskordinime të shërbimeve sekrete e institucioneve të sigurisë kombëtare.Studimi evidenton edhe çështjet e trajtuara dhe të pranuara nga politika Amerikane, si gjetja e papërgatitur e Shteteve të Bashkuara, mosbesimi ndaj CIA-s e shërbimeve sekrete, çka ka rezultuar më pas me mosvlerësimin e informacioneve dhe mos marrjen e masave të duhura për parandalimin e kësaj “lufte”.
Politika amerikane akuzon shërbimet sekrete për mungesë informacionesh dhe pasaktësi të tyre, duke deklaruar se dështimi ka qënë i shërbimeve sekrete dhe jo i saj. Ajo i ka akuzuar ato për mos parandalimin e sulmit terrorist me 11 Shtator 2001 dhe si shkaktare e vendimit të marrë nga politika të 19 marsit 2003 për luftën në Irak me preteksin e disponimit nga ana e Irakut të armëve të shkatërrimit në masë, ndonëse nuk rezultoj se dispononin armë të tilla. Megjithatë, ka edhe pranime të pjesëshme të fajësisë nga politika edhe nga shërbimet sekrete. Në këtë punim përcaktohen disa nga shkaqet, mësimet, pasojat dhe jepen përfundime nëse do të kishte patur mundësi të parandalohej apo jo 11 Shtatori 2011, dhe nëse duhej bërë apo jo Lufta në Irak. Fjalet kyce: 11 Shtatori 2001, Politika Amerikane, Shërbimet sekrete, Al-Kaeda, Iraku
Informimi i CIA-s për Al- Kaedën dhe Osama bin Ladenin dhe mos veprimi i Politikës Amerikane Sipas informimeve të dhëna nga CIA dhe të trajtuara nga Drejtori i saj George Tenet në librin “Në syrin e Ciklonit”, Vitet e mia në CIA, me Bill Harlow rezulton se: Al-Kaeda është formuar në Afganistan nga fundi i viteve 80-të, dhe Osama bin Laden ka qënë emër i panjohur para viteve 90-të.Në fillim të viteve 90-të, CIA kapi gjurmët e tij në lidhje me financimin e lëvizjeve të tjera terroriste.Osama bin Laden u përgatit për një luftë të “shenjtë” 1 që do të përfshinte botën.Në vitin 1993, sherbimet sekrete amerikane e deklaruan Bin Ladenin një mbështetës të fuqishëm financiar të lëvizjeve terroriste islamike. Në korrik të vitit 1996, ai theksoi se: “Vrasja e amerikanëve në kullat Khobar muajin e mëparshëm ishte fillimi i një lufte midis myslimanëve dhe Shteteve të Bashkuara” 2 . Në muajin gusht të vitit 1996, bashkoi myslimanët e tjerë radikalë në shpalljen e një “fetvaje” (Urdhër fetar) që njoftonte një “Shpallje të Luftës” dhe bekimin e sulmeve kundër objekteve ushtarake Perëndimore në gadishullin arabik.Në muajin shkurt të vitit 1998 Bin Ladeni lëshoi një tjetër deklaratë ku deklaronte se: “Të gjithë myslimanët e kanë për detyrë fetare të vrasin të gjithë amerikanët dhe aleatët e tyre, si civilë dhe ushtarakë në mbarë botën”. Më pas ai dha një intervistë në media duke theksuar se:“…të gjithë amerikanët ishin objektiva legjitimë për tu goditur, sepse ata i paguanin taksa qeverisë së Shteteve të Bashkuara” 3 . Osama bin Ladeni dhe lëvizja e tij terroriste Al-Kaeda kishte një prani të saj dhe vepronte në 60 vende. Celulat terroriste të Al-Kaedës, ekzistonin në 92 vende përreth botës tregojnë; shtrirjen, influencën dhe fuqinë e “terrorizmi ndërkombëtar” që ka ky armik i botës demokratike; “pushtimin” që kishte bërë vendeve të tjera nën influencën e tyre; rrezikshmërinë e lartë, përgatitjet e mëdha dhe synimin për t’a fituar luftën kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve demokratike në Botë; dhe paaftësinë e shteteve dhe të OKB-së në parandalimin e tyre 4 . Drejtori i CIA-s Xhorxh Tenet thekson se;“E informuam Presidentin Klinton se:“Osama bin Ladeni ishte duke planifikuar pesë deri në pesëdhjetë sulme anembanë botës”. Rasti më tipik: “Bin Ladeni ishte paditur në qershor të vitit 1998, me akuzën për komplot për të vrarë ushtarët amerikanë në Jemen gjashtë vjet të shkuara. Pesë muaj më vonë, ai u padit sërish, këtë herë për bombardimin e ambasadës në Afrikën Lindore. Unë nuk mund ta përfytyroj këtë tolerancë, së paku, përderisa ai ishte duke jetuar me gjithë të mirat në strehën e tij në Afganistan. Përtej veprimit ligjor kishte dy rrugë të tjera që një vend mund të ndiqte për të shkuar pas një kërcënimi si Bin Ladeni. Mund të përdorje forcat e dukshme ushtarake ose aftësitë klandestine për shërbimet e tij të fshehta në një “aksion të maskuar”. Administrata e Klintonit u përpoq me të dyja metodat. Kërkohej zbulimi i vendodhjes se Bin Ladenit… Politikëbërësit donin më shumë. Unë e kuptoja ngurrimin e tyre. Po aq sa të gjithë e donin Bin
Ladenin të vdekur, aq dhe përdorimi i forcës nga një superfuqi kërkonte informacion, disiplinë”. 5 Ndërkohë Drejtori i CIA-s Tenet shpjegon se: “…..Unë isha duke kërkuar me etje burime nga qeveria jonë për të luftuar terrorizmin. Dy herë, më 5 nëntor të vitit 1998 dhe më 15 tetor të vitit 1999, i shkrova letër personale Presidentit Klinton, duke i kërkuar një rritje të ndjeshme në financat tona. Në shumicën e rasteve arrita t’a mërzisja administratën për të cilën punoja, por nuk mund t’a zgjidhja aq sa duhet kuletën e saj” 6 . Një nga “Përmbledhjet e Përditshme”, të përgatitur për Presidentin Klinton, më 4 dhjetor të vitit 1998, (Pra, dy vjet, nëntë muaj e shtatë ditë përpara ndodhjes së sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001) ishte titulluar “Bin Laden përgatitet të rrëmbejë avionët amerikanë dhe të kryejë sulme të tjera”. Pas takimit të datës 10 korrik 2001, megjithëse u krijua një “qetësi” e frikshme nga këto dëshmi për kërcënimet potenciale, nuk pati ndonjë reagim konkret nga niveli i lartë politik që t’i miratonte propozimet e bëra, apo të tregonte se si duhej vepruar më tej nga CIA. Ky qëndrim i heshtur në një situatë kaq të rëndë e detyroi Drejtorin e CIA-s Xhorxh Tenet që më datën 6 gusht 2001 t’i drejtohej me shkrim presidentit Bush, ku i theksonte se:“Bin Ladeni është i vendosur të godasë në Shtetet e Bashkuara” 7 . Në periudhën 1 prill deri më 11 Shtator të vitit 2001, pra, për njëqind e gjashtëdhjetë e katër ditë, CIA ju dha drejtuesve të linjave ajrore në Shtetet e Bashkuara, rreth njëqind e pesë përmbledhje (raporte) të shërbimit të fshehtë, bazuar mbi informacionet e marra nga bashkësia inteligjente, nga të cilat pesëdhjetë përqind e këtyre raporteve përmendte Al-Kaedën, Osama bin Ladenin ose të dy së bashku. Xhorxh Tenet thekson se: “Pas 11 Shtatorit, disa zyrtarë të lartë qeveritarë thoshin se ishin të befasuar për masën dhe natyrën e sulmeve”. Ai pohon se: “…Ndoshta është kështu, por ata nuk duhej të ishin befasuar. Ne kishim paralajmëruar për rrezikun në çdo rast që na jepej”….“Mjerisht, edhe kur paralajmërimet tona u dëgjuan, në rrafshin e brendshëm u bë pak për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga kërcënimi. Për të përmendur dy dështimet e para dhe tragjike, dyert e kabinave u përforcuan vetëm pas 11 Shtatorit dhe udhëtarëve i’u ndaloheshin mjete prerëse në bordet e linjave ajrore tregtare amerikane” 8 . Pra, rezulton se; Politika Amerikane nuk e dëgjoj CIA-n. Ajo nuk veproi sipas propozimeve të saj dhe nuk e mbështeti atë përpara sulmeve të 11 Shtatorit. Politikëbërësit i kanë “neglizhuar” informacionet për sulmin terrorist ndaj saj si superfuqia e vetme e Botës për veprimet që do të kryente Al-Kaeda dhe Osama bin Ladeni.Vlerësimi i informacioneve dhe propozimeve të CIA-s është bërë nga Politika vetëm katër ditë pas këtij sulmi terrorist. Dështimi i inteligjencës i futi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, dhe CIA u krijua si kundërpërgjigje ndaj sulmit të “Pearl Harbour” në vitin 1941. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan fuqive të mëdha globale që mbajnë, në kohë paqeje, një agjenci civile inteligjence. Rezultatet e saj gjatë Luftës se Ftohtë kanë qënë evidente dhe të rëndësishme, pasi CIA zotëronte aftësi të veçanta, kishte bashkëpunim të shkëlqyer me shërbimet partnere anembanë botës dhe përbëhej prej oficerëve të zotë, të përkushtuar, të vetëdisiplinuar dhe me auto përgjegjesi personale ku spikasnin analistët me njohjet brilante të çështjeve të sigurisë dhe të terrorit në mbarë botën. Ajo ia dha informacionin Presidentit Bush i cili i deklaroi botës, autorësinë e këtyre sulmeve terroriste dhe “fillimin e luftës” kundër Al-Kaedës dhe atyre që i strehonin e mbështesnin terroristët. Drejtori Tenet ka pohuar se, informacionet u nënvlerësuan nga politika dhe nuk u parandalua sulmi terrorist i 11 Shtatorit 2001. Fakti që CIA mori kompetenca të zgjeruara operacionale, vetëm 4 ditë pas sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2011, ku vdiqën 2973 qytetarë të pafajshëm, megjithëse ajo i kishte kërkuar prej kohësh politikës mbështetje, e provon më së miri mungesën e mbështetjes së duhur ndaj shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës. Gjithashtu, janë evidentuar nga dëshmitë, intervistat, deklaratat, njoftimet për shtyp si dhe nga pohimet e bëra në mjaft dokumenta e libra që kanë botuar përsonalitete të ndryshme që kanë qënë në brendësi të këtyre zhvillimeve se, ka patur ngatërresa dhe veprime të çorientuara, që kanë sjellë edhe dyshime, mosveprime, reagime e debate deri edhe në akuza, kritika dhe debate edhe publike. Roli i Shërbimeve të Sigurisë Kombëtare, ka qenë i fokusuar në dy drejtime: Së pari, kanë keqinformuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara 9 , Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe për rrjedhojë edhe vendet e tjera aleate të rreshtuara në një front të bashkuar në koalicionin kundër terrorit, dhe për pasojë shkaku i sulmit në Irak ishin “provat” (informacionet e të dhënat) që Sadam Hyseini kishte prodhuar armët e shkatërrimit në masë dhe rezultoj i gabuar 10. Së dyti, ata i kanë dhënë informacionet dhe nuk janë vlerësuar nga politikbërësit 11. Megjithatë, ka edhe një konkluzion tjetër, që presidenti Bush 12 dhe Kryeministri Blair 13 e pranojnë në librat e tyre, që shërbimet sekrete dhe raportet e tyre kanë qënë të pavërteta. Në këto kushte, për shkak të gjetjes në befasi të Shteteve të Bashkuara 14 politikëbërësit amerikan u gjenden përballë “luftës” dhe zgjidhja ishte kundërpërgjigja me luftë.
Shkaqet dhe mangësitë që ndikuan në mos parandalimin e sulmit terro rist të 11-Shtatorit dhe të luftës në Irak
1-Politikëbërësit Amerikanë i kanë “neglizhuar” informacionet e CIA-s për sulmin terrorist ndaj saj si superfuqia e vetme e Botës.(argumentat i paraqitëm më sipër). Por, Presidenti Bush ka shprehur edhe rezerva për CIAn. Ai shpjegon se: ”Përpara së gjithash, na shqetësonte fakti se mos CIA po e nënvlerësonte Sadamin, siç kishte ndodhur para Luftës së Gjirit”. Më tej ai vijon: “Mirëpo, në atë kohë, provat dhe logjika na çonin në një drejtim tjetër” 15. Politika duke e quajtur veten “mbret” dhe “pronarë” të gjithçkaje dhe të gjithkujt, megjithëse asaj gjatë ditëve, javëve, muajve dhe viteve i janë bërë kërkesa dhe propozime për mbështetje e marrje masash të veçanta kundër terrorizmit, jo vetëm që ato nuk i realizoi, por pasi ndodhën sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, Politika pati “moralin” e pamoraltë që mediatikisht u bënë “herojtë” e ditës. 2- Agjensitë e Sigurimit Kombëtar treguan se ishin të pa koordinuara, por jo vetëm… Presidenti Bush pas ngjarjes së 11 Shtatorit e kuptoi se nuk kishte funksionuar mirë bashkëpunimi mes Shërbimeve inteligjente. Ndërsa CIA ishte shumë e angazhuar në përmbushjen e detyrave të saj. Ajo më 10 shtator të vitit 2001 kishte më shumë se 100 burime dhe nënburime, si dhe marrëdhënie me tetë rrjete fisnore të shpërndara në Afganistan. Presidenti Bush i miratoi rekomandimet e paraqitura nga Drejtori i CIA-s Xhorxh Tenet të hënën, më 17 shtator, si dhe i dha kompetenca të gjëra për t’u marrë me Al-Kaedën. Në takimin në Shtëpinë e Bardhë në të njëjtën ditë, Presidenti deklaroi; “Unë dua që CIA të jetë e para në terren”. CIA vlerësohet nga Presidenti Bush për punën e bërë pas 11 Shtatorit. Pas realizimit të sulmit terrorist u konstatua se; nga të gjitha agjensitë e Sigurisë Kombëtare vetëm CIA kishte patur informacione dhe e kishte përcaktuar terrorizmin nga UBL-ja dhe Al-Kaeda një objektiv të punës së tyre. Ndërsa, shërbimet e tjera nuk i kishin kushtuar vëmendje të veçantë. Asnjë agjensi përveç CIA-s nuk kishte përgatitur ndonjë plan, për të bashkërenduar për shtrirjen jashtë Afganistanit dhe për të luftuar terrorizmin anembanë globit thekson Tenet. Presidenti Bush në takimin e mbasdites së datës 15 shtator 2001 theksoi se: “Ky është i shkëlqyer”,16 (Plani i CIA-s). Njëzetë e dy Agjensitë e Sigurimit Kombëtar treguan që ishin të pakoordinuara, megjithëse agjensitë e ndryshme federale mbanin përgjegjësinë e përbashkët për sigurinë e brendëshme.Gabimi i pafalshëm nxori si domosdoshmëri nevojën për reforma më të mëdha. Xhorxh Tenet thekson se: “CIA ishte shtylla kryesore që duhej rindërtuar dhe të pesëmbëdhjetë agjensitë (është fjala për agjensitë që vareshin nga ana e tij). I gjithë plani im perspektiv është shëndoshja e CIA-s, ndërsa hidhnim themelet për të bërë të njëjtën gjë me gjithë bashkësinë e shërbimit inteligjent 17. CIA brenda për brenda saj ishte e ndarë në fraksionet e saj mbi çështjet e 11 Shtatorit dhe kishte xhelozi midis forcave ushtarake të Pentagonit dhe të CIA-s. Këtë fakt e pohon Xhorxh Tenet: “Një burokraci e madhe midis këtyre agjensive solli pasoja të pa imagjinueshme në 11 Shtator 2001” 18. Kjo ishte edhe arsyeja që Presidenti Bush në qershor 2002 krijoi një department të ri për Sigurinë e Brendëshme, në drejtimin e të cilit emëroj Tom Rich. Në kopertinën e revistës Time të numrit 3 qershor 2002, lexohej “Bomba e papritur Memo”.Në brendësi ishte një artikull i titulluar, “Si FBI-ja hodhi në erë rastin”.Më pas trajtohen edhe në media të ndryshme konflikte, debate, dyshime, kritika e përplasje midis dy agjensive inteligjente, FBI-së dhe CIA-s. Artikulli me titull “CIA nuk njoftoi FBI-në”, shkaktoj një stuhi me shkreptima dhe u shëndërrua në një kolonë të zërave të njohur,që thoshin se CIA ia kishte fshehur me qëllim informacionin Byrosë. Pretendohej se, CIA dhe FBI-ja nuk punojnë me njëra-tjetrën. Në fakt, Tenet pohon se:“ata kanë punuar ngushtësisht me njëra-tjetrën dhe janë përpjekur të mbrojnë vendin. Kjo është e vërtetë, por po aq të vërteta janë edhe “problemet”,“mangësitë”, “xhelozitë” dhe “konfliktet” e krijuara në veprimtarinë e punës së përditshme” 19. Pra, akti atdhetar pas 11 Shtatorit përshkroi një rrugë të gjatë deri në saktësimin e disa prej këtyre çështjeve. 3- Shtetet e Bashkuara të Amerikës terrorizmin e konsideronte si problem i “zbatimit të ligjit” dhe jo “problem i Sigurisë Kombëtare”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës para sulmit terrorist të 11 Shtatorit, terrorizmin e konsideronte si problem i “zbatimit të ligjit”20, dhe jo “problem i Sigurisë Kombëtare” 21. Ndërkohë pas sulmit e konsideroi dhe e trajtoi si “luftë”. Konsiderimi i këtyre problemeve dhe i tre “fazave” varet nga informacionet, njohja e gjendjes dhe administrimi i provave për përgatitjet e krimet e kryera si dhe nga faktorë të tjerë. Drejtori Tenet thekson se:“Politika e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në atë kohë ishte për trajtimin e terrorizmit si një problem i zbatimit të ligjit”. Kjo mund të quhej faza e parë, dhe pas saj ishte faza e dytë që t’a shikonte terrorizmin ndërkombëtar si problem të sigurisë kombëtare, për të ardhur pastaj te faza e tretë duke e parë terrorizmin ndërkombëtar si një luftë mbarë botërore. Pra, nga faza e parë u kalua direkt në fazën e tretë, në një kohë që informacionet e disponuara për terrorizëm dhe sulmet
e mëparshme terroriste në objekte e vende të ndryshme në botë nga AlKaeda ishin prezente. Konstatohet një kapërcim të menjëhershëm i këtyre fazave. Ndërkohë që u vertetua një “përgjumje” dhe një “nënvlerësim” të Shteteve të Bashkuara ndaj terrorizmit dhe Al-Kaedës e Osama bin Ladenit. Në qoftë se Politika do të kishte vlerësuar e marrë për bazë kërkesat dhe propozimet e bëra nga drejtori i CIA-s si: Raporti paralajmërues (threat matrix) 22 memot, 23 planet 24,përmbledhjet e përditshme,25programet për Al-Kaedën dhe Osama bin Ladenin, politika nuk do të duhej të vazhdonte të bënte trajtimin e terrorizmit si një problem i zbatimit të ligjit, por minimalisht si problem të Sigurisë Kombëtare. Nëse do të ishte vepruar në këtë mënyrë, ndoshta nuk do të kishte ndodhur sulmi terrorist i 11 Shtatorit 2001. Nëse nuk do të ndodhte sulmi terrorist nuk do të ishte bërë as Lufta në Iraku. Këtë argumentojnë deklarimet e Presidentit Bush, Blair e Obama në librat e tyre të botuar pas sulmit terrorist të 11 Shtatorit. 4- Shpallja e një politike koherente për Sigurinë Kombëtare.Afro pesë vjet nga 11 Shtatori dhe 15 vjet nga rënia e BS, Shteteve të Bashkuara ende i’u mungonte një politikë koherente për Sigurinë Kombëtare. Barack Obama në librin “Guximi për të shpresuar”, refleksione për rikthimin e ëndërrës amerikane bëri kritikë ndaj Presidentit dhe administratës Bush, duke theksuar se:….”siguria jonë do të ishte e garantuar, familjet tona do të ishin të mbrojtura….Kështu, bashkë me pjesën tjetër të botës, prita me shpresë të madhe atë çfarë supozoja se do të ndodhte më pas: shpalljen e një politike të jashtme të Shteteve të Bashkuara për shekullin e njëzetë e njëtë, të një politike që jo vetëm do të përshtaste operacionet e shërbimeve sekrete dhe mbrojtjen e vendit ndaj kërcënimit të rrjeteve terroriste me planifikimin tonë ushtarak, por edhe do të ndërtonte një konsensus të ri rreth sfidave dhe rrezikut që i kanosej mbarë kombit. Një plan i tillë zyrtar nuk erdhi kurrë” 26. 5- Mungesa e njohurive nga Shtetet e Bashkuara rreth Irakut. George.W.Bush në librin e tij “Momentet Vendimtare” 2010 thekson se: “Mjerisht ne nuk dinim shumë”. “….Në çastin e marrjes së vendimit, nuk e ke atë përparësi… “Presidenti Bush pranoi “fajësinë” kur theksoi se: “Natyra e historisë është e tillë që i kuptojmë pasojat, vetëm pasi veprojmë” 27. “….Kam dalë në përfundimin se bëmë dy gabime, të cilat çuan në shumë prej pengesave që hasëm….Gabimi tjetër, ishte dështimi i shërbimeve të zbulimit në lidhje me raportimin për armët e shkatërrimit në masë” 28. 6- Organizata e Kombeve të Bashkuara, nuk luajti sa duhet rolin e saj në parandalimin e luftës. George W. Bush thekson se: “Këshilli i Sigurimit kishte miratuar gjashtëmbëdhjetë rezoluta kundër Sadamit, të cilat nuk kishin sjellë dobi” 29. Realisht, nëse do të kishte patur një qasje më të përgjegjshme dhe më të shpejtë të strukturave dhe vendimarrjes së OKB-së, do të kishim patur një situatë tjetër dhe besimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
i vendeve të tjera do të kishte qënë më i madh dhe do të kishte ndikuar në parandalimin e luftës në Irak. 7- Lufta në Irak dhe zgjatja e saj, pati ndikim të madh në opinionin publik ndërkombëtar dhe në qëndrimet e udhëheqësve. Ajo dobësoi konsensusin me shtete të tjera në botë që kundërshtuan luftën dhe mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, pati pasoja të rënda, mbështetjen vetëm të 49 shteteve në fillim nga rreth 200 shtete dhe pasoja dhe dëme të mëdha.Këto pohohen nga Presidenti Bush, Presidenti Obama dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair në librat e tyre të botuar pas sulmit terrorist të 11 Shtatorit. Tony Blair thotë se: “Qëllimi i konfliktit që deklaruam ishte imponimi i rezolutës së Kombeve të Bashkuara për armët e shkatërrimit në masë të Sadamit dhe pasi morëm kontrollin e vendit, ne nuk gjetëm asnjë nga ato armë” 30. Tony Blair sqaron se: “Ato” informacionet, dyshimet e shërbimeve sekrete (nuk janë prova)…..faktet e vërteta janë të ndryshme nga ato që besonim ne se ishin të vërteta në mars të vitit 2003” 31. Iraku u pushtua dhe kjo luftë mes Shteteve të Bashkuara e aleatëve të saj dhe Irakut përveç dëmeve të pallogaritshme njerëzore e kolaterale, lufta ka zgjatur më shumë se sa Lufta e Dytë Botërore. Shtetet u ndanë në dy kampe. Shtete që mbështetën Shtetet e Bashkuara dhe shtete që dolën kundra luftës, ndër të cilat ishin Rusia, Franca, Gjermania etj.Ka edhe një konkluzion tjetër, që Presidenti Bushi32 dhe kryeministri Blair33 e pohojnë në librat e tyre, që shërbimet sekrete dhe raportet e tyre kanë qënë të pavërteta, jo të sakta. 8- Nëpërmjet kësaj lufte u bë shkelja e ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të Shteteve të Bashkuara. Por çdo President i Shteteve të Bashkuara ka për detyrë të ruaj, zbatoj dhe mbroj Kushtetutën. Presidenti Bush, do të duhej t’a mbronte Amerikën, por gjithmonë nën autoritetin që i kishte dhënë Kushtetuta.
Situatat e përafërta dhe vendimet e “vështira” të presidentëve amerikanë që kanë tejkaluar kompetencat gjatë luftërave
Presidenti Barack Obama për vendimet e “vështira” të presidentëve amerikanë që historikisht kanë tejkaluar kompetencat gjatë luftërave, thekson se: “….një fashizëm i frikshëm po na zë frymën” 34. 1- Xhon Adamsi, firmosi nenet kundër Armiqve të jashtëm dhe rebelimit të brendshëm 35, të cilët ndaluan disidencën publike, Alien and Sedition Act (të huajt dhe veprimet subvensive). 2- Abraham Linkolni, pezulloi habeas korpus 36 gjatë Luftës Civile. 3- Frenklin Ruzvelti, lejoj hapjen e kampeve ku urdhëroi internimin e 120 mijë japonezo-amerikanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
4- Abraham Linkolni, kishte përgjuar pajisjet telegrafike gjatë Luftës Civile. Udrou Uillsoni, kishte urdhëruar përgjimin e çdo telefonate dhe mesazhi telegrafik brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Luftës së Parë Botërore. 5- Frenklin Ruzvelti, kishte lejuar që ushtarakët të lexonin dhe censuronin bisedat gjatë Luftës së Dytë Botërore. 6- Vëllezërit Kenedi, kishin bashkëpunuar me J. Edgar Huverin për të dëgjuar ilegalisht bisedat e njerëzve të pafajshëm, përfshirë edhe Martin Luter Kingun Jr. Atë praktikë e kishte vazhduar edhe Lindon Xhonsoni. 7- George W. Bush, që filloj më 19 mars 2003 luftën në Irak me preteksin e disponimit nga ana e Irakut të armëve të shkatërrimit në masë, por nuk rezultoj se dispononin armë të tilla. Xhorxh Uashingtoni, Abraham Linkolni, Uilliam Mekkinli dhe Frenklin Ruzvelti ishin përballur me dilema të njëjta në lidhje me mënyrën se si të vinin përpara drejtësisë armiqtë robër gjatë kohës së luftës. Të gjithë kishin dalë në të njëjtin përfundim në lidhje me gjyqet ushtarake. Presidenti Bush, bëri të njëjtin “gabim”.
Disa mësime që lypen të nxirren për të ardhmen
Nga këto vendime të “vështira” dhe ndoshta të “pa drejta” lypet të nxirren mësime. Madje edhe vetë Presidenti Bush e rithekson në librin e tij “Momentet Vendimtare” se: “ …Unë mendoja se ky ishte një kapitull i trishtë i historisë tonë dhe nuk do ta përsërisja”. Në analogji me këtë rast, ne mund të kujtojmë 34 mësimet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxorën nga Lufta në Vietnam. Ajo që dallohej midis një numri të madh mësimesh strategjike dhe taktike që u nxorën nga politikëbërësit rreth Vietnamit ishte analogjia e Mynihut dhe rreziku i paqtimit. Mynihu ishte bërë simbol për një brez politikanësh 37. Por nëse është e vërtetë ajo që Senatori Eduard Kenedi theksoi në 2007 se: “Presidenti po nxjerr mësime të gabuara nga historia” 38, atëherë këto “mësime” nuk vlejnë dhe nuk duhen marrë si mësime pozitive për të ardhmen. 1- Një mësim i mirë për t’u mësuar është që politika dhe politikanbërësit lypet të vlerësojnë informacionet, kërkesat dhe propozimet që bëjnë shërbimet inteligjente të Sigurisë Kombëtare nëpërmjet drejtuesve të tyre. Ata nuk nevojitet të “mbivlerësojnë” veten dhe të neglizhojnë në këtë drejtim. Xhorxh Tenet thekson se: “Dhe ata (Politika dhe Politikanët) si gjithmonë kujtohen pas ngjarjeve të rënda të të mbështesin”. Pra, Drejtori i Shërbimit Inteligjent më të madh në Botë CIA-s “apelon” në librin e tij ndaj Politikës Amerikane. Të dëgjohen më mirë drejtuesit e shërbimet inteligjente dhe të sigurohet mbështetje maksimale ndaj këtyre shërbimeve e punonjësve. Kjo lypet të bëhet sepse: a) Puna e tyre është “luftë”; b) Rreziku i tyre është “humbja e jetës”, rënia në krye të detyrës për kombin, atdheun, vendin dhe qytetarët në luftë me terroristët; c) “Neglizhencë”, “mosvlerësimi” dhe “mosmbështetja” ndaj tyre është minimalja; ç) “paaftësi”, “moskryerje” e detyrës nga politikanët ndaj zyrtarëve dhe shërbëtorëve më të devotshëm të vendit e qytetarëve arrin deri në “tradhëti” duke sjellë pasoja të rënda deri në humbjen e jetëve njerëzore të punonjësve të shërbimeve inteligjente 39, por edhe të Policive e Forcave të Armatosura. Detyra kryesore e Shtetit është siguria e jetës, pronës dhe arritja e lumturisë siç ka përcaktuar Abraham Linkolni. Ky “Dështim” lypet të bëhet “Mësim” me “M” të madhe në të ardhmen, për Institucionet Ndërkombëtare si OKB, etj, për Shtetet dhe
Institucionet, për drejtuesit e shteteve dhe politikanët e politikbërësit dhe për zyrtarët e zbatimit të ligjit. 2- Mungesa e njohurive rreth Irakut dhe disponimit te armëve të dëmtimit në masë nxjerr mësim “strategjik” dhe “taktik” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të ardhmen. 3- Obligimi dhe detyrimi i çdo Presidenti të Shteteve të Bashkuara lypet, të ruaj, zbatoj dhe mbroj Kushtetutën.
A mund të parandalohej 11 Shtatori 2001 dhe Lufta në Irak? Kaluan 13 vjet nga sulmi terrorist i 11 Shtatorit dhe mund të thuhet se ende nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar nëse mund të parandalohej apo jo 11 Shtatori. Drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore, politikanë, analistë, studjues etj. janë shprehur në mënyra të ndryshme. Pyetjes a mund t’a kishte parandaluar ndonjë gjë 11 Shtatorin, Komisioni i 11 Shtatorit dhe Hetimi i Përbashkët i Kongresit u përgjigjen se: “ndalimi i sulmeve do të kishte qënë i vështirë” 40. Ndërsa Xhorxh Tenet, ka pohuar se:“nuk e di nëse do të parandalohej sulmi i 11 Shtatorit” 41. Ai thekson se: “Sigurisht që unë nuk pretendoj të ofroj këtu përgjigjet përfundimtare, por do të përpiqem të largoj tutje disa nga ngatërresat dhe shungullimat e çoroditura që mbështjellin dy komplekse dhe shanse të munguara, shpesh të keqkuptuara” 42. Lypet ti referohemi lidhjes kauzale shkak-pasojë. Meqënëse pasojat ishin gjëja e parë që mësuam, nevojitet që përgjigja të përcaktohet pas analizimit të thellë dhe marrjes së përgjigjeve të tilla si: Kush ishte qëllimi, arsyeja, shkaku i sulmit të 11 Shtatorit 2001 dhe i Luftës në Irak? Nga analizimi i këtyre faktorëve dhe trajtimit te tyre më të gjërë në punimet e tjera të mëparshme mendohet se përgjigja do të ishte: “11 Shtatori mund të ishte parandaluar, nëse informacionet dhe propozimet e bëra nga CIA, do të ishin vlerësuar dhe shëndërruar në vendime të Politikës së Shteteve të Bashkuara për zbatim nga institucionet e Sigurisë Kombëtare.Parandalimi i sulmit të 11 Shtatorit, do të parandalonte edhe Luftën në Irak”. Politika në çdo shtet e vend, duhet të vlerësojë dhe mbështesë institucionet e Sigurisë Kombëtare. Nëse Politika e bën mirë këtë detyrë, në të ardhmen mund të parandalohen aktet e terrorizmit dhe siguria e jetës së qytetarëve do të jetë më e sigurtë në të ardhmen. konkluzione 1- Shtetet e Bashkuara superfuqia e vetme në Botë që nga dhjetori i vitit 1991 u gjet e papërgatitur.Ajo u sulmua në pikat më nevralgjike të saj. Në këto kushte ajo nuk mundi të mbrohej, as të sulmonte, madje situata ishte e tillë që pritej sipas informacioneve që të sulmohej përsëri. 2- Armiku, Al Kaeda dhe Osama Bin Ladeni ia arriti qëllimit të tij në organizimin dhe drejtimin e sulmit terrorist dhe në humbjen e mijëra jetëve njerëzore dhe dëmeve kolaterale e imazhit të SHBA-së.Ndërsa në realizimin e planit dhe qëllimit të saj strategjik, ajo ka dështuar në pikësynimet e mëtejshme të saj, të cilat ishin: Së pari, dobësimi i Shteteve të Bashkuara dhe së dyti, forcimi i Al-Kaedës. 3- Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas këtij sulmi terrorist në shekullin e XXI-të arritën sukses pasi u bënë edhe më të fortë dhe shkatërruan e asgjësuan Al Kaedën, Osama bin Ladenin, pushtoi dhe çliroi Irakun nga terroristi Sadam Hussein. Sulmet e 11 Shtatorit nuk ishin fundi i Amerikës, por ato ishin fillimi i një epoke të re, fillimi i Luftës së Re kundër terrorizmit mbarëbotëror. 4- Në parandalimin e sulmit terrorist dhe të Luftës në Irak rezulton se, në radhë të parë “dështoj” Politika. Politika dhe qeverisja është e para. Ajo udhëheq, ajo drejton dhe ajo kontrollon institucionet, shërbimet e strukturat e sigurisë. Përgjegjësia është e saj dhe e politikëbërësve përpara Shteteve të Bashkuara, institucioneve të Sigurisë Kombëtare dhe popullit që e ka votuar e zgjedhur për t’a qeverisur. Nëse do të ishte bërë kjo detyrë, nuk do të kishim 11 Shtator 2001, nuk do të kishim as edhe Luftë në Irak, por do të kishim paqe, siguri dhe prosperitet.Shprehja “dështim politik”dëgjohet shumë rrallë ndërsa shprehja “dështim i inteligjencës” 43, dëgjohet shumë shpesh. Nëse funksionon një iniciativë qeveritare,ajo pasqyrohet gjithnjë si një “Sukses politik”,dhe pothuajse asnjëherë si “sukses i inteligjencës”, apo si sukses i shërbimeve të sigurisë në tërësi.Politika lypet të ketë përgjegjësi jo vetëm morale por edhe ligjore ndaj shtetit, qytetarëve, institucioneve dhe punonjësve që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm, por që puna dhe propozimet e tyre nuk merren në konsideratë. Shërbimet e Sigurisë Kombëtare kanë një rol të pazëvëndësueshëm dhe jetik për fatet e Shteteve të Bashkuara, të çdo kombi dhe qytetarëve të tyre. Këto shërbime kontribuojnë dhe sigurojnë për rrjedhojë edhe jetët, lirinë dhe demokracinë në shtete e kombe të ndryshme të Botës. Ish Drejtori i CIA-s Allen Dulles në librin “CIA kundër KGB-së Arti i Spiunazhit” thekson se; “Njërën nga shkaqet e një dukurie të tillë e ka zbuluar Presidenti Xhon Fitxherald KenediPresidenti i 35–të i SHBA (1961-1963), i cili u vra në Dallas”. Ai në fjalën e tij të 28 nëntorit të vitit 1961 theksoi se:“Për sukseset tuaja nuk flitet me zë të lartë, ndërsa për gabimet vihet tellalli”44. Sepse për shkaqe plotësisht të kuptueshme, nuk lejohet të thuhet asgjë për operacionet, të cilat kryhen me sukses.Por ata, që pësojnë disfatë, bëhen të njohur në kundërshtim me vullnetin tonë. 5- Në parandalimin e sulmit terrorist dhe të Luftës në Irak rezulton se në radhë të dytë “dështuan” shërbimet e sigurisë kombëtare. CIA është një instrument i politikës, ajo nuk bën politikë 45, thekson Xhorxh Tenet. Megjithatë ai shpjegon se CIA ishte nën “presionin” e shërbimit sekret ushtarak dhe të Ministrit të Mbrojtjes, zëvendëspresidentit dhe stafit të tij të ngushtë. Ajo ishte nën presion dhe “diversion” të vazhdueshëm që lufta duhej bërë. Në këto kushte, CIA nuk i “rezistoi” dot presionit për të sjellë argumentat sipas vijës së sjelljes që në rastin konkret ishte “receta e vendimmarrësit” 46. Politika e “gjeti” argumentin se Iraku disponon armë të shkatërrimit në masë. Në këtë rast kemi të bëjmë me “recetën” e vendimmarrësit për shërbimet inteligjente që ishte “të gjendeshin armët e shkatërrimit në masë dhe të justifikohej lufta”. Gjithashtu, konstatohet se si vartësit e Tenet thirrreshin dhe ata “josheshin” për të dhënë mendimin e tyre, jashtë dijenisë së eprorit të drejtëpërdrejtë Drejtorit të CIA-s. Politikanëbërësit kur shkelin ligjin dhe nuk kryejnë detyrën e tyre “ndëshkojnë” veten me përgjegjësinë morale, duke dhënë dorëheqje.Dorëheqja i “çliron dhe i “pastron” nga mëkatet, gabimet dhe fajet e tyre. Për profesionistët e sigurisë kombëtare nuk kërkohet e njëjta gjë për përgjegjësinë që mbartin. Në radhë të parë ato kanë për “detyrë” të durojnë kritikat, shpifjet e akuzat që ia bën politika për të “justifikuar” gabimet e fajet e tyre ndaj qytetarëve, pasi ajo e ka përjashtuar veten e saj nga përgjegjësia ligjore. 6- Sot në botë mendohet se ekzistojnë rreth 360 organizata terroriste ose afërsisht sa dyfishi i shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe “AlKaeda“ përbën një rrjet me të cilin lidhen e ndërveprojnë më tepër se 40 organizata dhe lëvizje terroriste ndërkombëtare. Problemi është sa efektivë do të jemi në vendosmërinë për t’u dhënë fund dobësive tona. Sa të gatshëm do të jenë për të bërë sakrificat që kërkohen për të shmangur sulmin e ardhshëm? Tmerri, frika, errësira, ankthi, pasiguria e thellë dhe vrasjet e 2973 personave të pafajshëm nga 72 shtete të ndryshme të botës në Kullat Binjake në Shtetet e Bashkuara dhe dëmet e pallogaritshme kolaterale të shkaktuara nga sulmi i 11 Shtatori 2001, a e thyen përfundimisht mentalitetin amerikan që Shtetet e Bashkuara janë të pathyeshme dhe që terrorizmi është diçka që ndodh “tepër larg”? Xhorxh Tenet në analizën që i bën gjendjes së sigurisë dhe situates në tërësi jo vetëm për Al-Kaedën por edhe më gjërë thekson se: “..Shtetet e Bashkuara mbeten epiqendra e planeve të Al-Kaedës. Dëshira e tyre është të realizojë sulme spektakolare të shumëfishta në Shtetet e Bashkuara, me dëme të pandreqshme ekonomike dhe psikologjike… ata kuptuan dobësinë e sigurisë së Shteteve të Bashkuara…. Unë jam i bindur që sulmi i ardhshëm madhor kundër Shteteve të Bashkuara fare mirë mund të bëhet nga njerëz me fytyrë aziatike ose afrikane, jo nga ata ndaj të cilëve shumë amerikanë janë vigjilentë. …Përgjigja e saktë është se ne nuk i njohim ata…. Ata duan të na godasin në përpjestim të drejtë me statusin tonë si një superfuqi….. Ne shumë rrallë do të marrim vesh se “kur”, por nuk ka më ndonjë shfajësim për të mos ditur “si” dhe për të mos bërë më të mirën për t’u mbrojtur nga ata.Historia sdo të na falë”47. 7- Sulmi terrorist i 11 Shtatorit 2001 e gjeti të papërgatitur qeverinë amerikane dhe të pambrojtura objektet e saj të brendshme jetike. Ja çfarë përshkruan se do të ndodhë në vitin 2050 George Fridman48 në librin e tij “100 vitet e ardhshme parashikimi për shekullin XXI”; “Shkatërrimi i tre Yjeve të Betejës do të jetë i planifikuar për datën 24 nëntor 2050, në orën 5 të pasdites. Në atë kohë, në Ditën e Falenderimeve, pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jenë duke luajtur futboll dhe duke dremitur, pasi kanë shijuar një vakt të madh.Disa njerëz do të jenë duke drejtuar makinat për t’u kthyer në shtëpi. Askush në Uashington nuk pret ndonjë problem. Ky është momenti, në të cilin japonezët synojnë të godasin…. Lëshimet e (raketave) nga Hëna do të vijojnë pa u vënë re… Do të njoftohet Presidenti, por, duke qenë Dita e Falënderimeve, ai nuk do të jetë në gjendje të mbledhë menjëherë pjesën më të madhe të këshilltarëve të tij…”. Ndërsa Presidenti Klinton thekson se:“Mendoj se Shën Pali kishte të drejtë kur tha se në këtë jetë “shohim përmes një xhami të errët” dhe “dimë pjesërisht”.Kjo është arsyeja pse ai i lartësoi virtytet e “besimit, shpresës dhe dashurisë”49.Përgjigjen e asaj që ka thënë Shën Pali, lypet te merret nga politikëbërësit dhe drejtuesit e profesionistët e sigurisë kombëtare, nëse do të jemi në gjendje të shohim përmes xhamit të errët dhe të dimë plotësisht. Nëse po, atëherë ia kemi arritur qëllimit tonë. 8- Gjithsesi, Amerika është një vend i lirë, me një demokraci shembullore, aleate e vendeve demokratike në botë, aleate strategjike e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Lufta e vështirë kundër armiqve terroristë është një luftë për liri dhe drejtësi dhe duhet mbështetur plotësisht nga të gjitha vendet demokratike në botë.
Bibliografia:
- George Tenet “Në syrin e Ciklonit”, Vitet e mia në CIA, me Bill Harlow, Tiranë, 2012 2. George W.Bush,“Momentet Vendimtare”,2010 3. Tony Blair, “Një Rrugëtim” 2010 4. Borack Obama , “Guximi për të shpresuar , refleksione për rikthimin e ëndërrës amerikane”, 2006 5. Bill Klinton, “Jeta ime” 2005 6. George Bush, The national security strategy of the United States of America, PresidenBush’s transmittal letter to the US Congress 7. Bob Woodward, “Lufta e Bushit, 55”,2003 8. Rudolph W.Giuliani, “Leadership”, 2002 9. George Fridman ”100 vitet e ardhshme parashikimi për shekullin XXI”, 2010 10. Glenn P. Hastedt, “Politika e Jashtme Amerikane. E shkuara, e sotmja, e Ardhmja” 2010 11. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Tiranë: “Historia e Amerikës”, 2011 12. Allen Dulles(ish Drejtor i CIA-s), “CIA kundër KGB Arti i Spiunazhit” 13. Anthony Cordesman, The Lesson of Modern War, Vol.II.faqe.3) 14. Human Rights Watch, “Genocide in Iraq”, 2003 15. Milton Leitenberg, “Deaths in Wars and Conflicts in the 20th Century”, Cornell University, Peace Studies Program 16. Yonah Alexander, “Lufta kundër terrorizmit”, 2004, faqe 5 17. Human Rights Watch, “Justice Needed for Iraqi Government Crimes”, December 2002 18. Michael Fletcher, “Bush Compares Iraq to Vietnam, “The Washington Post, 23 gusht 2007 19. Cristopher Layne, TheUnipolar Illusion:”Why Great Power will Rise, International Security,”17(1993)5/ 5 20. National Commission on Terrorizm, Countering the Changing Threat
Burime nga interneti:
1- http://news.bbc.co.uk/2/hi/programmes/breakfast/2384905.stm 2- http://www.foxnews.com/story/o.2933,59796,00.html 3- http://news.bbc.co.uk/2/hi/middle_east/3398677.stm 4- http:/www.philly.com/mld/inquirer/7648377.htm 5- http://msnbc.msn.com/id/3294143/ 6- http://www.cnn.com/2005/ËORLD/meast/01/25/sprj.nirq.kay/ 7- http://www.msnbc.msn.com/id/5578293/ 8- http://www.fas.org/news/un/iraq/sres/sres0687.htm 9- http://www.cbsnews.com/stories/2002.09.04/september11/main520830.shtml 10- http://edition.cnn.com/2004/WORLD/meast/06/18/saddam.terror/ 11- http://www.cia.gov/cia/public_affairs/speeches/2003/david_kay_10022003.html
Materialin e plotë mund ta gjeni në linkun: http://www.albdiploacademy.com/sites/default/files/applications/Revista%20Global%20Challenge%20Nr%207.pdf